Në gjendje alarmi të kuq ndodhet prej ditës së sotme qyteti i Selanikut për arsye të protestave që do të zhvillohehen deri të shtunën në mbrëmje në prag të fjalimit të kryeministrit Papandreu me rastin e hapjes së Ekspozitës së 76-të Ndërkombëtare.

Qytetarë të indinjuar, studentë, sindikatat e sektorit shtetëror dhe atij privat, taksistët, mijëra tifozë t ekipit të futbollit “Iraklis” akoma edhe policë do të protestojnë kundër masave dhe reformave që ka marrë qeveria greke.

Megjithëse ka mbërritur në Selanik si pasagjer i thjeshtë me një avion të linjës duke dhënë shembullin i pari për reduktimin e shpenzimeve në sektorin shtetëror, kryeministri Papandreu është pritur me vërshëllima nga dhjetra miltantë të Partisë Komuniste që megjithë masat e rrepta policore kishin mundur të rrethonin bashkinë e qytetit, stacioni i parë i vizitës së tij.

Papandreu e ka të qartë se fjalimi i tij të shtunën dhe të dielën para mediave është shansi i fundit për qeverinë që ai drejton, e cila nën presionin e specialistëve europianë duhet të kryejë menjëherë ato reforma që duhet të kishte bërë gjatë 18 muajve të kaluar, për të marrë këstin e 6-të të ndihmës prej 8 miliardë eurosh.

Por ai ka kundër pothuajse shumicën e grekëve, klimën e vështirë që mbizotëron në tregjet europiane, vetë bashkëpunimin me forcat politike të vendit.

Në momentet kur politikanët europianë diskutojnë cdo ditë e më shumë skenarin e daljes së Greqisë nga eurozona, specialistë të tjerë të ekonomisë europiane e kundërshtojnë atë, duke argumentuar se në radhë të parë përbën rrezik për gjithë shtetet anëtare të BE, por edhe nuk parashikohet institucionalisht, nuk ka interes politik dhe nuk mund të sjellë dicka pozitive nga ana ekonomike.

Sipas sindikalistëve që demonstrojnë duke pasur përballë tyre mbi 5000 policë, në një qytet të rrethuar ngado me uniforma blu dhe jeshile, nuk ka asnjë shpresë që qeveria Papandreu t’ia dalë mbanë.

Edhe vizita e papritur e udhëheqësit grek në 20 shtator në një mbledhje urgjente të FMN, ka shtuar akoma më shumë zërat për zgjedhje të parakoheshme.

Një gjë është e sigurtë, që nëse Greqia nuk zbaton reformat sipas udhëzimeve të specialistëve të FMN, BQE dhe BE, Athina në tetor nuk do të ketë përsëri mundësi të paguajë rrogat dhe shpenzimet në sektorin shtetëror, prandaj kryeministri Papandreu kërkon që me fjalën e tij t’u shpjegojë bashkëqytetarëve të tij se rrugë tjetër për t’i shpëtuar falimentimit nuk ka.

Top Channel