Kaos në burgjet greke, 5 të dënuar humbin jetën brenda një muaji në burgun e Patrës Kalimi i urës së Mitrovicës nga Jugu në Veri dhe anasjelltas, për ekipet televizive shqiptare pothuajse gjithnjë shkakton stres dhe frike.
Për dallim nga mediat serbe, gazetarët dhe kameramanët shqiptarë ende detyrohen të gjejnë mënyra të ndryshme të sigurisë për të vizituar Mitrovicën e veriut.
Kësaj radhe ekipi ynë u detyrua të marrë një taksist ilegal serb për të shkuar deri tek zyra e sekretarit të Ministrisë së Serbisë për Kosovën.
Sekretari i Ministrisë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic, në një intervistë ekskluzive për TCH paralajmëron kryeministrin kosovar Hashim Thaçi që të mos marrë më vendime siç ishte ai i 25 korrikut.
Sipas tij, në rast se do të përsëritet një gjë e tillë, reagimi i serbëve do të jetë i njëjtë. Po ashtu, përfaqësuesit serbë në qeverinë e Kosovës, Ivanovic i quan vegël të kryeministrit kosovar.
“Kryeministri Thaci zakonisht jep informata që janë me interes lokal, por ne i themi që nuk do të zbatohet asnjë vendim i cili do të nxise tensione në veri. e aq më pak kontrollimin e pikave kufitare apo dërgimin e doganierëve kosovarë në këtë pjesë. Ju paralajmëroj se ky nuk do të ishte një veprim i mirë. I sugjeroj të gjithë të kenë kujdes ndaj deklaratave të ‘nxehta’. Mendoj që EULEX-i duhet tani të futet në këtë lojë sepse çështja e pikave kufitare është punë e EULEX-it”, thotë Ivanovic.
Pyetjes se përse serbët nuk pranojnë asnjë zgjidhje nga Prishtina, Ivanovic i kundërpërgjigjet duke thënë se, edhe Prishtina po vepron në të njëjtën mënyre.
“Në momentin që provojne që të fusin njësinë speciale në veri, qytetarët reagojnë. Kështu që protestat do të vazhdojnë edhe në të ardhmen për çdo rast që do të ketë iniciativa të tilla. Protestat mund të ndalohen vetëm me zgjidhje dhe vetëm nëpërmjet BE-së. Një zgjidhje e cila do të ishte vetëm në interes të shqiptarëve nuk do të pranohet kurrë nga serbët. Një zgjidhje e tillë nuk do të zbatohet pavarësisht nëse qeveria e Prishtinës e dëshiron. Në asnjë mënyrë nuk do të mund të bëhet kjo. Më vjen keq për vrasjen e policit, por përgjegjësinë për këtë duhet ta mbajnë ata që përgatitën një ndërhyrje të dobët”, deklaron Ivanovic.
Pyetjes se a do të arrihet ndonjëhere pajtimi ndërmjet palës serbe dhe asaj kosovare ai i përgjigjet në shqip: “Mendoj që do të arrihet, por jo me dhunë”.
Ivanovic thotë se, ka një dualizëm sa ipërket aktivitetit të tij në Kosovë me faktin që është lindur në Kosovë, ka familjen këtu dhe i shërben shtetit të tij serb.
Ndërkohë, ai thotë se, përfaqësuesit serbë në institucionet kosovare nuk përfaqësojnë interesat e serbëve, por i shërbejnë vetëm kryeministrit kosovar.
“Ata kanë heshtur për çështjet kryesore që janë në interes të serbëve të Kosovës. Njerëz të tillë nuk vlerësohen as nga vetë shqiptarët. Ky është mendimi im. Si të gjithë në Ballkan, më shumë i duan ata që kanë dinjitet dhe karakter, sesa ata që bëjnë çfarë iu thonë të tjerët”, thekson Ivanovic.
Sa iu përket grupeve kriminale në veri, ai pohon se, ka grupe të tilla. Por, sipas tij, grupet më të mëdha kriminale janë në jugun e qytetit, e sidomos në qeverinë e Prishtinës.
“Tregimi për çështjet kriminale në veri është një maskë në mënyre që Prishtina të ndërmarrë aksione në veri. Këtu nuk ka asnjë kriminalitet më shumë se ne vendet e tjera. Qendra e kriminalitetit nuk është askund tjetër në Kosovë, përveç Prishtinës, atje ku është qeveria dhe buxheti”, nënvizon Ivanovic.
“Duhet ta kani parasysh që kontrabanada në veri është e lidhur me personat jashtë kësaj pjese. Ata nuk do të mund të ekzistonin po të mos e kishin rrjetin e tyre në qender të Kosovës”, shton zyrtari serb.
Në anën tjetër, pavarësisht se cfarë thotë Ivanovic, sipas burimeve jozyrtare të TCH, nga dita e premte strukturat paralele kanë marrë vendim që të ndryshojnë strategjinë e veprimit.
Nga aksionet e fundit të EULEX-it në kërkim të vrasësit të policit Enver Zymberi TCH mëson se, tani e tutje grupet serbe nuk do të bllokojnë më rrugët e veriut, por do të bllokojnë vetëm ato pjesë ku shihen pjesëtarët e EULEX-it dhe të KFOR-it.
Top Channel