Gjenerali gjerman Erhard Drevs mori sot detyrën si komandanti i ri i trupave të KFOR-it, nga bashkëkombasi i tij, Erhard Byhler.

Ndërrimi i komandës është bërë në një moment kur situata në veri të Kosovës është tensionuar.

Aktualisht NATO ka në Kosovë rreth 5500 ushtarë, pas përforcimeve të dërguara muajin e kaluar për shkak të trazirave në zonat me shumicë serbe.

Dorëzimi i komandës tek gjenerali Drevs u bë nga komandanti i NATO-s në Napoli, admirali Samuel Locklear, në prani edhe të gjeneralit Erhard Byhler.

Kosovë, kufiri me Serbinë

KFOR-i shprehet i gatshëm të ndihmojë autoritetet kosovare në hapjen e kufirit verior me Serbinë pavarësisht se ende nuk është i informuar për detajet e planit të qeverisë së kosovës.

Por sipas komandantit në largim të KFOR-it, Erhard Buhler, fillimisht ai duhet ta ketë planin e grupit punues të qeverisë, hartimi i të cilit sipas gjeneralit akoma është në fazën fillestare.

Për këtë ceshtje gjenerali Buhler foli pas takimit që pati me shefin e komitetit ushtarak të NATO-s, admiralin Giampaolo Di Paolo. Pjesë e takimit ishte edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci dhe Ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Ceku.

“E kemi bërë në të kaluarën për shkak të situatës së sigurisë. Nuk ka pasur mënyrë tjetër t’i dërgojme doganierët dhe policët në pikat kufitare. Kjo ishte pjesë e marrëveshjes fillestare të cilën e arritem ndërmjet 25 dhe 26 korrikut, dhe kur e bëmë në të kaluarën mund ta bëjmë edhe tani nëse gjendja e sigurisë e kërkon këtë”, tha gjenerali Buhler.

Top Channel