KFOR-i shprehet i gatshëm të ndihmojë autoritetet kosovare në hapjen e kufirit verior me Serbinë pavarësisht se ende nuk është i informuar për detajet e planit të qeverisë së kosovës.

Por sipas komandantit në largim të KFOR-it, Erhard Buhler, fillimisht ai duhet ta ketë planin e grupit punues të qeverisë, hartimi i të cilit sipas gjeneralit akoma është në fazën fillestare.

Për këtë ceshtje gjenerali Buhler foli pas takimit që pati me shefin e komitetit ushtarak të NATO-s, admiralin Giampaolo Di Paolo. Pjesë e takimit ishte edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci dhe Ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Ceku.

“E kemi bërë në të kaluarën për shkak të situatës së sigurisë. Nuk ka pasur mënyrë tjetër t’i dërgojme doganierët dhe policët në pikat kufitare. Kjo ishte pjesë e marrëveshjes fillestare të cilën e arritem ndërmjet 25 dhe 26 korrikut, dhe kur e bëmë në të kaluarën mund ta bëjmë edhe tani nëse gjendja e sigurisë e kërkon këtë”, tha gjenerali Buhler.
 
Vizita e admiralit Giampaolo Di Paolo në Kosovë bëhet në kuadër të vizitave të tij vjetore. Por këtë herë i gjithë theksi u vu te ngjarjet në veri, një zonë kjo të cilën admirali e cilësoi se kaloi nëpër një verë të nxehtë ushtarake.

Ai mbështetet faktin se KFOR-i është përgjegjës për situatën e sigurisë, por celësi i zgjidhjes së problemit admirali Dipaolo tha se është dialogu Prishtinë-Beograd.

“Situata e sigurisë në veri është delikate por le të shpresojmë që ky dialog është celësi i sigurisë dhe i stabilitetit në Kosovë”, tha admirali, Di Paolo.
 
Admirali Di Paolo dhe komandanti KFOR-it thanë se për momentin nuk ka plane për reduktimin e forcave në Kosovë. Sipas shefit të komitetit ushtarak të NATO-ss, qytetarët e Kosovës nuk duhet t’i frikësohen reduktimit të trupave të NATO-s sepse kjo do të nënkuptonte që situata e sigurisë në Kosovë është e qetë. Në lidhje me FSK Di Paolo tha se jemi afër momentit që forca e sigurisë të marrë kapacitetet e plota që i takojnë.

Top Channel