Prizrenasit shprehen kundër rikthimit në votim të projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit e cila parashihet me pakon e Ahtisarit. 

Sipas tyre, ky projektligj zgjeron dhe forcon pushtetin e autoriteteve kishtare ortodokse të Beogradit në brendi të qytetit të Prizrenit. Për më tepër për qytetarët e këtij qyteti projektligji do ta shndërrojë qendrën e qytetit në zonë që i nënshtrohet vullnetit të Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd.

Ata thonë se kjo është e padrejtë dhe veçmas për banorët që janë në afërsi të kësaj kishe ortodokse.

Të enjten kuvendi komunal i Prizrenit ka zhvilluar një seancë të jashtëzakonshme lidhur me këtë çështje. Shoqëria civile dhe disa nga partitë kryesore të opozitës kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj këtij projektligji, duke pretenduar se ai i jep një zë më të fuqishëm Kishës Ortodokse.  

Ndërkohë policia ka arrestuar tre aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje, të cilët ishin mbledhur para Kuvendit Komunal për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj projektligjit.  

Sipas deputetit të lëvizjesVetëvendosje Liburn Aliu projektligji do të kundërshtohet edhe më tej pasi ai forcon dhe pushtetin e autoriteteve kishtare ortodokse të Beogradit në brendesi të qytetit të Prizrenit.

Aliu thekson se, ky ligj e legjitimon pretendimin e Serbisë që të gjitha monumentet dhe kishat ortodokse në Kosovë janë “serbe”, duke mohuar kështu kulturën e përbashkët fetare dhe historike të Kosovës.

Në nenin 18.4, projektligji i jep Kishës Ortodokse Serbe kompetenca ekzekutive duke e bërë atë faktor vendimmarrës për çdo aktivitet që do të zhvillohet brenda kësaj zone, ndërsa të gjitha aktivitetet komerciale dhe ndërtimore brenda kësaj zone do t’i nënshtrohen miratimit të Kishës Ortodokse Serbe. Për më tepër projektligji e lejon Kishën Ortodokse Serbe të ushtrojë të drejtën e vetos përballë cilitdo vendimi të përfaqësuesve komunalë të Prizrenit, i cili zhvillohet në zonën historike, përfshirë të drejtën e tubimeve publike si dhe aktiviteteve kulturore.

Top Channel