Misioni EULEX po shqyrton me institucionet e Kosovës mundësitë për
rivendosjen e agjentëve doganorë në pikat kufitare në veri të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i misionit evropian për rendin dhe ligjin, Nicolas Hauton.

“Bashkë me institucionet e Kosovës po punojmë për vendosjen e kontrollit normal doganor në dy pikat kufitare. Ndërsa detajet konkrete janë në shqyrtim e sipër”, ka deklaruar Hauton.

Deklaratën e tij zëdhënësi e bëri pas asaj të kryeministrit kosovar Hashim Thaci, se më 16 shtator do të fillojë zbatimi i marrëveshjes së vulave me Serbinë.

Kryeministri Thaci paralajmëroi gjithashtu se në pikat kufitare 1 dhe 31 do të vendosen agjentë dhe drejtues kosovarë.

Vulat, më 16 shtator implementimi i paktit

Qeveria e Kosovës ka vendosur që më 16 shtator të nisë implementimi i marrëveshjes me Serbinë për vulat doganore.

Kryeministri Hashim Thaci, gjatë mbledhjes së kabinetit të tij deklaroi se, me këtë marrëveshje Serbia de jure ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Nga16 shtatori do të fillojë të zbatohet marrëveshja dhe të gjithë do t’i nënshtrohen rregullave të reja që do të aplikohen”, ka deklaruar Thaci.

Marrëveshja për vulat doganore mes Serbisë dhe Kosovës u arrit në raundin e bisedimeve të dy shtatorit, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Për t’u siguruar për arritjen e një marrëveshjeje, i dërguari i Catherine Ashton, Robert Cooper zhvilloi para kësaj date vizita në Beograd dhe Prishtinë.

Bogdanovic: Ditë të vështira për serbët në veri

I ashtuquajturi ministri për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, Goran Bogdanovic bëri thirrje që serbët e veriut të tregojnë unitet, sepse sipas tij, ditë të vështira po vijnë dhe ata duhet të përballen me prova të mëdha.

Bogdanovic, bën të ditur Kosovapress, ka deklaruar se Prishtina po kërcënon seriozisht me dërgimin e doganierëve në pikat kufitare dhe marrjen e këtyre pikave nën kontroll të saj.

“Është i papranueshëm fakti se në këto momente ka njerëz të cilët mendojnë ‘sa më keq, aq më mirë’ dhe se po tentojnë të keqpërdorin pozitën e vështirë të serbëve në Kosovë”, ka thënë Bogdanovic.

Zyrtari theksoi se serbët duhet të mbrojnë interesat e tyre në Kosovë, duke mos përjashtuar mundësinë e rikthimit të barrikadave në rast se Prishtina tenton që me dhunë të dërgojë doganierët në pikat kufitare.

Negociatori serb në bisedimet me Kosovën, Borko Stefanovic i ka bërë thirrje qeverisë së Prishtinës që të mos dërgojë doganierë në veri.

“Shteti ynë ka informacione se Prishtina po planifikon të bëjë një gjë të tillë në ditët e ardhshme”, ka deklaruar Stefanovic për mediat serbe.

Ai ka paralajmëruar autoritetet kosovare se një gjë e tillë është e papranueshme për Beogradin.

“Aksioni i Prishtinës mund të shkaktojë pasoja të rënda. Për më tepër, pikat kufitare as që kanë qenë temë e dialogut në Bruksel”, ka pohuar Stefanovic.

Ndërkohë në Bruksel javën e shkuar u arritën dy marrëveshje, një për vulat doganore dhe për regjistrin kadastral. Sipas palëve pjesëmarrëse, zbatimi i marrëveshjes për vulat pritet të ndodhë shumë shpejt.

Kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri,i vlerësoi shumë të rëndësishme marrëveshjet e arritura duke theksuar se shteti serb me këtë akt e ka pranuar pavarësinë e Kosovës në fushën e doganave.

Tahiri, bën të ditur Telegraf, theksoi se me arritjen e këtyre marrëveshjeve, institucionet e Kosovës jo vetëm që kanë respektuar Kushtetutën, por edhe e kanë avancuar dhe fuqizuar interesin shtetëror dhe qytetar, duke shtuar se “gardianë” të respektimit të këtyre marrëveshjeve do të jetë Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja.
 

Top Channel