Forcat e KFOR-it dhe EULEX-it kanë filluar sot herët në mëngjes një
aksion të ri në veri të Kosoves. Aksioni ne Zubin Potok zhvillohet ne
kuader te hetimeve per vrasjen e policit Enver Zymberi, më 26 korrik.

“Ne jemi duke vazhduar hetimet në rrugën ndërmjet Zubin Potokut dhe Zupce. Ky hetim “në vendin e ngjarjes” lidhet me vrasjen e pjesëtarit të policisë më 26 korrik”, ka thënë për Radio Kim, zëdhënësja i EULEX-it, Irina Gudeljevic.

Raportohet se rruga Zubin Potok- Zupce është e mbyllur përkohësisht. Nderkohe qe ne Mitrovice kane protestuar sot punonjes serbe te shendetesise. Ata bllokuan dy urat në Mitrovicë, duke paralizuar qarkullimin me autoambulanca. Ata protestuan me sirena alarmi dhe pankarta ku shkruhet “Ne nuk jemi institucione paralele” dhe “Kosova është Serbi”.

Vrasja e policit, hetime për një shqiptar

Një shqiptar nga jugu i Mitrovicës është në mesin e tetë personave të cilët dyshohen për përfshirje në vrasjen e policit të Njësisë Speciale, Enver Zymberi.

Sipas Telegrafit, lajmi është konfirmuar nga njëri prej hetuesve të ngjarjeve të fundit në veri, kryeprokurori i Qarkut të Mitrovicës, Shyqri Syla.

Syla ka njoftuar se shqiptari i përfshirë në “listën e zezë”, dyshohet se ka ndihmuar autorët e krimit.

“Përveç gjashtë të dyshuarve për vrasje të cilët janë banorë të Zubin-Potokut e rrethinës së këtij qyteti, prokuroria ka në listë si të dyshuar edhe dy persona të tjerë, njëri serb dhe njëri shqiptar, të cilët dyshohen për veprën penale të dhënies së ndihmës autorëve për kryerjen e veprës penale”, ka njoftuar Syla.

Enver Zymberi, polici hero

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vendosi dekorimin e policit te njesise speciale te policise, Enver Zymberi, i cili humbi jetën në krye të detyrës.

Enver Zymberi u dekorua për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Enver Zymberi nderroi jetë si pasojë e plagëve të marra në një pritë në komunën e Zubin Potokut, gjatë operacionit te 26 korrikut ne veri.

Top Channel