20 vjetori i Maqedonisë, asnjë “shenjë” shqiptare

08/09/2011 01:15

Me një seancë solemne në Kuvend kanë nisur manifestimet dy ditore për shënimin e 20 vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë. Kryetari i Parlamentit Trajko Veljanovski, para politikanëve vendor dhe diplomatëve të huaj tha se Maqedonia është shtet multientik dhe u përket të gjithë qytetarëve pa dallim etnie dhe feje.

“Ndërtimi i raporteve të mira ndëretnike është një aspekt shume i rëndësishëm që shënon këtë jubile. Maqedonia është shtet i të gjithëve, maqedonasve, shqiptarëve, turqeve, serbëve e romëve. Ndjenja për të qenë autokton në këtë vend, na bashkon të gjithëve, pa dallim gjuhësqë flasim dhe Zotit të cilit i lutemi. Edhe pse në këtë plan kishim probleme, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, këto probleme filluan të tejkalohen. Me këtë forcuam themelet e shtetit tonë të përbashkët”, tha Trajko Veljanovski, kryetar i parlamentit të Maqedonisë.
 
Mirëpo, ndryshe nga fjalët e kryeparlamentarit, flasin manifestimet e organizuara për ditën e pavarsisë që nuk përmbajnë elemente të karakterit multientik të vendit pasi në to theksohen vetëm elementet kombëtare maqedonase. Ky fakt ka shtyrë opozitën shqiptare ta bojktojë seancën dhe aktivitet tjera për këtë datë.

“Partia Demokratike Shqiptare është kundër manifestimeve që simbolizojnë nënshtrim, diskriminim dhe margjinalizim të shqiptarëve në Maqedoni. 20 vjet Maqedonia e pavarur përkundër realitetit që ekziston këtu arriti të ndërtohet si shtet ku shqiptarët si element kryesor shtet-formues ngelin të përjashtuar nga shtet-formësia dhe nga hisja që ju takon”, thotë Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.

Manifestimi qëndror për shënimin e 8 shtatorit, ditës së pavarsisë do të mbahet të enjten në mbrëmje. Krahas opozitës shqiptare edhe ajo maqedonase do të bojktoj ceremoninë qëndrore, ku përvec aktiviteteve të shumta do të përurohet në mënyrë zyrtare përmendorja gjigante e Aleksandrit të Madh dhe do ketë defile të njësiteve të Armatës së Maqedonisë dhe Ministrisë së Brendshme.

Top Channel