Në të paktën dy raste, në kabllogramet drejtuar Departamentit amerikan të Shtetit, shkruhet se kryeministri Hashim Thaci është takuar me presidentin serb Boris Tadic.

Përvec prapaskenave në politikën e brendshme që zbulon Wikileaks në dhjetëra kabllograme të publikuara, ekzistojnë dhe dy të dërguara prej ambasadës amerikane në Athinë dhe misionit amerikan në Kombet e Bashkuara.

Aty citohet presidenti Tadic të ketë folur mbi takimet e tij me Thacin.

Një kabllogram i ambasadës në Athinë i vitit 2006 shkruan se Tadic ka thënë që është takuar shkurt me Hashim Thacin përpara takimit të Internacionales Socialiste dhe se që të dy sipas tij, kishin rënë dakord që kontaktet direkte mes Beogradit dhe shqiptarëve të Kosovës do të ishin të dobishme.

Ndërsa në kabllogramin e misionit amerikan në OKB, i janarit të vitit 2008, thuhet se Tadic ka deklaruar që në Nju Jork kishte takuar Hashim Thacin dhe se do të takohej sërish me të, në përpjekje për të arritur një kompromis për statusin, teksa ankohej se premtimet për pavarësi i kishin bërë shqiptarët jobashkëpunues.

Ndërkohë që nëse i referohemi kabllogrameve të lobimit anti-pavarësi pas 2008-ës, gjuha e diplomacisë serbe merr të tjera nota.

Një kabllogram i vitit 2010 tregon mbi vizitën e ministrit të Jashtëm serb Vuk Jeremic në Austri, ku ai kërkon qartë një zgjidhje sa për të shpëtuar imazhin e Serbisë, teksa kërcënohet nga ministri i Jashtëm austriak se një konflikt mbi Kosovën do të dëmtonte aspiratat e Serbisë për në BE.

Vulat, më 16 shtator implementimi i paktit

Qeveria e Kosovës ka vendosur që më 16 shtator të nisë implementimi i marrëveshjes me Serbinë për vulat doganore.

Kryeministri Hashim Thaci, gjatë mbledhjes së kabinetit të tij deklaroi se, me këtë marrëveshje Serbia de jure ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Nga16 shtatori do të fillojë të zbatohet marrëveshja dhe të gjithë do t’i nënshtrohen rregullave të reja që do të aplikohen”, ka deklaruar Thaci.

Aika nënvizuar se, të gjithë qytetarët në veri do të jenë të informuar për rregullat e reja të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave.

“Këto rregulla janë të detyruar t’i respektojnë të gjithë, si kufij ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë”, ka nënvizuar Thaci.

Mëtej kryeministri ka theksuar se qeveria e tij po punon për rehabilitimin e pikave kufitare në veri, përkatësisht atyre 1 dhe 31.

Marrëveshjapër vulat doganore mes Serbisë dhe Kosovës u arrit në raundin e bisedimeve të dy shtatorit, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Për t’u siguruar për arritjen e një marrëveshjeje, i dërguari i Catherine Ashton, Robert Cooper zhvilloi para kësaj date vizita në Beograd dhe Prishtinë.
 

Top Channel