Xhovalin Delia – Nuk e di sa i vogël kam qenë kur e kam dëgjuar për herë
të parë fabulën “ujku dhe qingji” por më kujtohet që kam mbetur keq.

Jo edhe aq për fundin tragjik të fabulës se sa për fatin e përcaktuar të qingjit. Ndoshta ngaqë në atë kohë doja qingjin tim manar e urreja ujkun e “keq”.  Sot që njoh edhe ujkun, natyrisht nuk kam ndryshuar mendim për qingjin, përkundrazi, e dua më fortë e më dhimset më shumë, ndërsa ujku, “armiku i mikut tim” nuk është armiku im, e jo vetëm që nuk e urrej por edhe pse nuk e dua sa qingjin i konsideroj të barabartë para jetës dhe vdekjes. Arsyeja është e thjeshtë: asnjëri nuk është “më i mirë” se tjetri, thjeshtë janë të ndryshëm. Ujku ka një konstitucion e qingji një tjetër. I pari është mishngrënës e i dyti ha bar. Të dy krijesa të bindura të natyrës që respektojnë në mënyrë rigoroze ligjet e saj.

Fabula ndonëse bazuar në ligjet natyrore është përftim i njeriut konceptuar “sipas imazhit të tij të ngjashëm me veten”. Morali i saj është impostuar sipas moralit njerëzore. “…ndryshe nga kafshët që zgjedhin o refuzojnë për instinkt, njeriu  e bën me vullnet të lirë për pasojë,  shtaza nuk largohet nga rregulli natyral instinktiv i paracaktuar  edhe kur është në favor të saj, ndërsa njerëzit largohen shpesh edhe në dëm të vetes e të tjerëve.” (God Bless America” – roman –xh. Delia)

Në fabul, ujku, duke pasur damkën e të “keqit” para se të kryejë aktin gjakatar ndaj qengjit të “mirë”, duhet të gjejë një “shkak” për të manipuluar opinionin publik, se shkaku i tragjedisë që do të ndodhë kësaj here nuk është ujku i “keqi” i përjetshëm por qingji që turbullon ujin. Skena është e thjeshtë dhe e qartë, ujku lart, uji i kthjellët i lumit që rrjedh teposhtë ne shtratin e tij dhe, më poshtë, qingji që pi ujë per hesap te vet. Ujku për të mbuluar urinë, shkakun e vërtetë të agresionit, shtiret si i etur, nevojë jetik edhe kjo si uria por që nuk kërkon gjak as mish. Ja pra që ujku kësaj here shfaqet paqësor, ndërsa qingjin, që po pi ujë më poshtë na e paraqet si provokator! Kështu, duke injoruar ligjin e gravitetit, ujku akuzon publikisht qingjin si fajtor dhe po ai vetë e ndëshkon atë duke e ngrënë. Te kuptohemi, jo se i hahej por sepse kishte shkelur rregullat e bashkekzistencës civile, me saktë higjienën. Pra ujku do të na bindë se është nga ana e së drejtës pasi qingji me apo pa dashje i ka turbulluar ujin me pak fjalë: mors tua vita mea – vdekja jote jeta ime! Çuditërisht opinioni publik nuk reagon ndaj sebepit banal që ujku përdor për ta manipuluar, përkundrazi merr anën e agresorit të uritur që ndëshkoi qingjin ujë turbullues. Pse? A thua opinioni publik bargrënës nuk e di qe uji rrjedh teposhtë? Apo besojnë se i madhi, i pasuri e i forti mund ta çojnë ujin përpjetë? Morali i fabulës në shqip: më mirë mut se i vogël. Në fakt ky është limiti moral i njeriut me arsye të kufizuar. Fare kollaj ujku mund të shfaqej dy hapa më poshtë qengjit për të pretenduar se kafsha e butë e kishte turbulluar vërtet ujin por enkas shfaqet lart, madje mbi ujvarë. Jo se nuk e njeh ligjin e gravitetit por shkel me arrogancë, në mënyrë demonstrative e publikisht një ligj natyral. Qëllimi është i qartë: ti imponohet opinionit publik se e vërteta dhe ligji është forca, jo arsyeja. Kjo sepse edhe ujku i fabulës e di që masa është e prirur për të besuar të rremen e për t’iu nënshtruar dhunës. Paradoksi i arrogancës së ujkut “të fortë” në fabul konsiston bash tek ligështia e tij, uria e përjetshme. (ujku është një nga kafshët që heq më shumë për të mbijetuar).

Më 1913 –en, qingji shqiptar pati turbulluar ujin e fuqive të mëdha dhe për këtë ato e ndëshkuan duke e copëtuar në tre pjesë, duke i garantuar kështu një armiqësi të vazhdueshme me gjitonët e tij të përjetshëm. As më të drejtët e Botës nuk e kundërshtuan dot këtë padrejtësi ndaj deleve shqiptare pa bari. Thuhet se asokohe lumenjtë shqiptarë nuk derdheshin në det por shkonin tërthorë e përpjetë! Pas gati një shekulli, njëri nga lumenjtë e ngrirë u shkri e filloi të gurgullojnë sipas ligjeve natyrore, në shtratin e tij, teposhtë drejt Perëndimit. Me 1999 -ën çuditërisht, edhe pse qingji shqiptar po pinte ujë në të njëjtin lumë, bash në të njëjtin vend, me emër Kosovë,  kur ujku serb akuzoi publikisht qingjin kosovar se  po i turbullonte ujin, opinioni publik reagoi menjëherë: jo zotni serb – ujk! Tashmë mishngrënës e barngrënës e dimë se uji nuk shkon përpjetë por derdhet ne det. A thua se ligji i gravitetit të qe zbuluar atë vit nga Bill Klinton, në Dri të Zi e jo Isak Njutoni qindra vjet më parë nën mollë, në bahçen e tij!!! Mrekulli apo marrëzi njerëzore?! Mbasi fati i shqiptarëve. Për herë të parë në historinë tonë të dhimbshme fati ose më saktë koincidenca e interesave “të mëdhenjve” na nxori në bregun e të drejtës; nga “qingji i zi” zullumqar u kthyen në qingj manar! Dhe i kujt pa!? I Kryeperëndis së Perëndimit! Uao!!! Ky i fundit për ta siguruar manarin e vet i bërë një trell ushtarak dhe e shpalli Kosovën Republike të pa varur në gojë të ujkut. “Më mirë një mik se një çiflig”! Zumë një mik e garantuam një çiflig! Mrekulli si këto ndodhin njëherë në njëmijë vjet e nuk zgjatin përjetë. Kjo për faktin e thjeshtë se qingji krifet, qethet e mund të bëhet edhe dash por fati i tij nuk ndryshon ashtu si ujku që zakonin se harron.

Sot edhe pse lumi shqiptar është në shtratin e tij e derdhet natyrshëm në det, ujku i fabulës është shfaqur në të njëjtin vend me të njëjtin pretekst. Edhe qingji i sotëm kosovar është në të njëjtin vend, para të njëjtit rrezik por ndryshe nga qingji i fabulës nuk është vetëm i ndarë nga tufa. Për fat ka pranë bariun e botës të armatosur deri në dhëmbë. Po sikur bariun ta thërrasë Katerina, apo Irene për ndonjë vaki në shtëpinë e tij matanë Atlantikut, si do t’i vejë halli i qengjit manar? Do të na duhet ti bëjmë vetë hesapet me gjitonin e sertë. Jo rrallë, për hall apo për mall,  na kanë kthyer krahët fuqitë e mëdha, madje na kanë shitur lirë e përdorur si plaçkë lufte. Falë të mëdhenjve kosova sot është minë me sahat në qendër të “trekëndëshit të Bermudës”. Tingëllon fatale, pa rrugëzgjidhje  fati jonë por në fakt nuk është kështu. Qingji shqiptar, ndryshe nga ai i fabulës ka një avantazh të madh, arsyen. Kjo armë e padukshme është më e madhe dhe më e fuqishme se bomba atomike. Lum kush e ka! Në fakt të gjithë njerëzit e kanë por pak kujt i hy në punë. Për të mos privuar veten nga kjo dhunti e zotit, ne shqiptarët duhet të bëjmë një ndryshim të vogël në konstitucionin tonë kulturor, atavizmi primitiv “urrejtje për armikun” do zëvendësuar me virtytin qytetar; “dashuri për armikun” . Ky ndryshim esencial bën të funksionojë arsyen. Kjo e fundit ndryshon vizionin tonë për botën që na rrethon dhe si rezultat përmirëson relacionet midis nesh e me të tjerët. Pra kalimi gradual nga instinktet e egra në arsyen e butë, do të ndryshonte kahu i lëvizjes tonë: nga vdekja e shkatërrimi, drejt jetës e përparimit. Duket lojë fjalësh, madje ndokujt mund ti tingëlloi si predikim, por në fakt do të ishte një hap i mbarë drejt komunikimit midis nesh e me të tjerët si njerëz të arsyeshëm. .

Për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, ndonëse jemi me të drejtën e Zotit, duhet ta nisim nga vetja. Të kesh të drejtë nuk do të thotë ta hedhësh shurrën përpjetë, përkundrazi, e drejta, kur e ke, nuk do shperdoruar, por do ruajtur e mikluar me dashuri, urtësi e durim, në të kundërt e humbet. Nga e drejta në të padrejtë nuk është rrugë e gjatë, mjafton edhe një fjalë. Mjetet janë të rëndësishme por urtësia, mençuria e vullneti i mirë ndryshojnë botën. Mercenarët mund të kenë plot cilësi veç vullnetit të mirë e dashurisë për vendin vet. Për fat të keq Shqipërisë e Kosovës nuk i kanë munguar këto krijesa të mbrapshta.

Të gjendurit sot si për mrekulli nga e drejta dhe nën çadrën e Perëndimit, nuk duhet të na krijojë iluzionin se  nuk mund të jetojmë përjetësisht nën sqetullën e  amerikanëve e as në prehër të evropianëve. Përkrahja e çmuar e Perëndimit nga gjithë shqiptarët e në veçanti nga kosovarët do konsideruar si një shans që nuk do humbur. Kjo nuk do të thotë që Kosova e pavarur të ngrejë mure ndarëse me Serbinë. Jo, sot më shumë se kurrë shqiptarët e Shqipërisë e të Kosovës duhet të jenë të parët të shtrinë dorën e miqësisë serbëve.

Pavarësia e Kosovës ka qenë, është dhe mbetet e drejta legjitime e Shqiptarëve por këta të fundit e veçanërisht kosovarët nuk duhet të provokojnë lakmi e mëri tek serbët. Nuk bëhet fjalë për mëshirë as për qarje halli, por për të kuptuar hallin. Ç’ka do te thote pragmatizëm dialektik për të mirën shqiptare, pra jo për të zgjidhur hallin serb, grek apo turk por për mos tu bërë viktime e problemeve të tyre. Të gjithë shqiptarët e Shqipërisë e Kosovës duhet të çlirohen nga kompleksi i “viktimës”. Le ta shohim serbin jo si të “huaj”, por si kojshia jonë me të cilin do të ndajmë ato çka jeta na ofron sot e mot. Fjalën e vrazhdë “SHKJA” shqiptarët e Kosovës duhet ta zëvendësojnë me fjalën familjare VËLLA. Ky është çelësi natyral i bashkëjetesës njerëzore e qytetare.

Bashkatdhetarë të dashur: dy janë shanset, Jeta o Vdekja. E para na bashkon e dyta na ndan. Jo rrallë e jo pak individ, komunitete e kombe kanë gabuar në zgjedhje. Kush ka ditur të zgjedhë, jeta vetë i ka mësuar të bashkëjetojnë e të prosperojnë, paçka se edhe në ato vende ujku dhe qingji vazhdojnë të jenë po ato të fabulës së vjetër.

Top Channel