Greva, përleshje në Bulqizë

25/08/2011 15:30

Dita e sotme e protestes së minatorëve të Bulqizes është shoqëruar me përleshje mes tyre dhe forcave të rendit, që ndodhen prej disa ditësh në këtë qytet. (UPDATE)

Minatorët u mblodhën në mëngjes pranë hyrjes në minierë, në pritje të realizimit të një marrëveshjeje me kompaninë koncesionare.

Situata ishte e qetë deri sa u mësua se një grup i vogël grevëthyesish do tentonin të hynin në minierë për të nisur punën.

Gjendja u tensionua dhe minatorët kanë nxituar të bllokojnë hyrjen e minierës, por edhe të hyjnë brenda. Ata penguan edhe disa kamionë të ngarkuar me lëndë ndërtimi për minierën.

Në këto kushte është kërkuar ndihma e policisë, forcat e ndërhyrjes së shpejtë kanë disa ditë në zonë dhe kanë tentuar të largojnë minatorët.

Mes grevistëve dhe policisë ka patur konfrontime të forta fizike dhe për pasojë tre minatorë janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital.

Minatorët pretendojnë se janë plagosur nga policia gjatë përpjekjes për t’i shpërndarë, ndërsa policia mohon të ketë patur të dëmtuar.

Për shkak të përplasjes fizike dhe temperaturave të larta, disa prej minatorëve kanë patur probleme me shëndetin.

Ata janë në mesin e atyre që kanë qenë edhe në grevën e urisë që u realizua nën tokë. Pas disa minutash edhe me nderhyrjen e drejtuesve të sindikatës dhe drejtuesve të policisë, situata u qetësua, megjithatë në Buqlzië tensioni është shumë i lartë.

Në një kohë kur minatorët grevistë prisnin që të arrinin një marrëveshje me drejtuesit e kompanisë koncesionare, nga këta të fundit u tentua nisja e punës në minierë me anë të një grupi grevëthyesish. Një veprim i tillë e përkeqësoi së tepërmi situatën, duke ulur shpresat për një zgjidhje.

Që prej korrikut minatorët janë në këtë protestë, e cila nisi me ndërprerje pune, vijoi me grevë urie dhe tani po shfaq shenjat e dhunës.

Situata ka hyrë në një ngërc për shkak se palët nuk bien dakort për detajet e firmosjes së marrëveshjes dhe jo për vetë kërkesat që minatorët paraqesin.

Pak ditë më parë në minierë ishte administratori kompanisë, i cili me gjithë përpjekjet e tij nuk mundi të bindë minatorët të ulen në bisedime.

Kompania kërkon të vendosë si kusht të panegociueshëm përjashtimin e përfaqësuesve të sindikatave që drejtojnë grevën, ndërsa minatorët kërkojnë që në cdo marrëveshje me kompaninë të përfaqësohen nga sindikatat.

Top Channel