Librat shkollor të lëndës së historisë, përfundimisht nuk do t’ju shpëtojnë ndryshimeve në pjesët ky flitet për perandorinë osmane dhe sundimin turk.

Ministri kosovar i Arsimit, Ramë Buja në një intervistë për TCH thotë, se tashmë është formuar komisioni i cili do të rishikojë të gjithë literaturën dhe më pas do të marrë vendimin.

Por, ministri siguron se në thelb nuk do të ndryshojnë faktet historike.

“Askush nuk ka tendencë për ta ndryshuar historinë, por për të ndryshuar një term eventual që mund të jetë fyes për popullin turk nëse ka. Pikërisht për këtë kemi ngritur edhe një komision të veçantë që të merret me këtë çështje dhe të shpjegojë ka apo s’ka, në mënyrë që të zbutet gjuha e urrejtjes, nëse ajo ekziston”, tha Buja.

Ministri rithekson se, zanafilla e këtij debati daton kohë më parë. Kërkesën për këtë thotë se e ka nisur ambasadorja turke në Prishtinë.

“Ajo që më së shumti e ka vërejtur edhe ambasadorja ka qenë çështja e një harte të Turqisë së sotme, por që nuk ka territorin e Turqisë së sotme. Ajo ka kërkuar që të korrigjohet kjo hartë dhe pastaj të shikohet nëse ka ndonjë shprehje që mund të jetë fyese”, deklaroi Buja.

Pas këtij debati, ambasadorja e Turqise Songül Ozan është shprehur në RTK se projekti me Ministrinë e Arsimit, nuk ka synim të ndryshojë historinë.

Sipas saj, “janë vlerësuar mundësitë e bashkëpunimit të cilat do të mund të përdoreshin në periudhat e ardhshme për pastrimin e elementëve të cilat përmbajnë shprehje të gabuara dhe paragjykuese të paraqitura në disa libra të arsimit fillor në pjesët ku flitet për turqit dhe periudhën e Perandorisë Osmane.

Nëse edhe ndonjë komunitet tjetër si ai serb do të kishte të tilla pretendime, ministri Buja shprehet se mënyra e veprimit do të ishte e njëjtë, në rrugë institucionale.

“Edhe për ndonjë komunitet tjetër duhet parë sepse lufta në Kosovë me serbët ka qenë shumë e frikshme. Kur të vijë koha për t’u qetësuar, vetë historia dhe gjakrat e këtyre njerëzve që bëjnë historinë, do të ngrihet në të ardhmen një komision jo për të ribërë historinë, por për të korrigjuar ndonjë shprehje që mund të jetë e tepruar në tekstet që flasin për historinë”, theksoi Buja.

Debati mbi ndryshimin e teksteve në lidhje me Turqinë doli në pah gjatë vizitës së ministrit të Arsimit të Turqisë, Omer Dinçer. Kundër kësaj kërkesë kanë reaguar ashpër historianë nga Kosova dhe jo vetëm.

Top Channel