Protestuesit qëlluan policinë

20/08/2011 21:15

Gjatë trazirave të fundit në qytetet angleze, nuk janë përdour vetëm gurët dhe është vënë zjarr gjatë përleshjeve dhe plaçkitjeve, nuk janë shtypur policët me makina, por rezulton se ata edhe janë qëlluar edhe me armë zjarri.

Kjo duket qartë nga nje video e publikur sot nga Polica e Birmingamit ku shihet se pjesëmarrësit në trazira kanë shtënë me armë ndaj punonjësve të policisë.

Madje nga pamjet shihet se njeri nga protestuesit merr në shenjë dhe qëllon edhe helikopterin e policisë që ndiqte nga ajri operacionin. Helikopteri nuk është goditur. Mësohet se janë 11 të shtëna në drejtim të forcave të policisë, por pa pasur të plagosur.

Në një konferencë shtypi, shefi i Policisë së Birminagamit Chris Sims tha se ngjarjet e 9 gushtit ishin shumë më komplekse sesa vjedhje, plaçkitje dhe përleshje të zakonshme me forcat e rendit.

Sipas tij, ka pasur një përpjekje të përqendruar dhe të organizuar për të vrarë dhe plagosur punonjës policie nga afro 40 persona të maskuar.

Dedektivët, ekspertë të kriminalistikës dhe armëve balistike kanë kaluar në sitë pamjet filmike dhe kanë bërë kontrolle shtëpi më shtëpi. Më shumë se 500 vetë janë arrestur vetëm në qytetin e Birmingamit të goditur më rëndë pas Londrës nga dhuna dhe anarkia.

Policia ka nxjerrë në qarkullim videon për të mundësuar identifikimin nga ana e publikut të personave që kanë qëlluar, praktikë kjo që dha rezultat në rastin e shtypjes së policëve me makinë në një lagje të Londrës përpara disa ditësh.

Kjo është hera e parë që policia qarkullon një video të tillë shqetësuese, në një vend si Anglia, ku vete ku polica qarkullon pa armë në shërbim, e ku armëmbajtja e armëve të zjarrit është thuajse inkzistente dhe e pakrahasueshme me vende të tjera.

Top Channel