Kthimi në ishullin e masakrës

20/08/2011 21:35

Të shpëtuarit e masakrës së Utojas vendosën të kthehen në ishull dhe kjo –sipas psikologëve – do t’i ndihmojë të përballojnë traumën.

Mbi 1500 persona, mes të cilëve të mbijetuar dhe familjarë të viktimave, ndaluan në vendin ku u ekzekutuan pa mëshirë 69 te rinj.

“Truri i njeriut është më mirë kur ka një pamje të qartë sesa fragmente, apo të mbushë të çarat me fantazi”, është shprehur Lars Weisaeph, Universiteti i Oslos.

“Disa patën eksperienca traumatike dhe është e qartë për ne se ishte një moment i vështirë për ta, të përshkonin të gjithë ishullin. Pati të qeshura, histori të mira, pra një përzierje emocionesh”, theksoi John Stale Stamnes, shërbimi i hetimit kombëtar.

Ishulli u vizitua edhe të premten nga të paktën 500 familjarë dhe të afërm të viktimave. Ata dëgjuan nga hetuesit sesi ishin ekzekutuar njerëzit e tyre.

E diela shënon fundin e muajit të zisë, për 77 viktimat, 8 prej të cilave u vranë në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo.

Të enjten u zhvillua dhe ceremonia e fundit mortore e 16 vjeçares, Elisabet Troennes Lie, pasi familjarët vendosën të ishte e pranishme edhe e motra 17 vjeçare, e plagosur rëndë po në ishullin e Utojas.

Një gjykatë në Norvegji shtyu me katër javë të tjera afatin e izolimit të 32 vjeçarit Breivik.

Në sulmet që tronditën Norvegjinë u plagosën 151 persona, 62 në Utoja dhe 89 të tjerë në Oslo.

Top Channel