Aksidentet e vrasjet, bilanc lufte

16/08/2011 22:30

Një 31 vjecar u qëllua për vdekje në zonën e njohur si Kthesa e Kamzës këtu në kryeqytet.

Viktima quhet Paulin Marku dhe në momentin e atentatit po udhëtonte me një motor.

Autoritetet e rendit, që po hetojnë vendin e ngjarjes, thonë se pista kryesore mund të jetë ajo e hasmërisë. Vrasja e sotme e con në 12 numrin e personave që kanë humbur jetën nga vrasjet dhe aksidentet dy ditët e fundit.  

Më parë gjatë ditës te kanionet e Skraparit skuadrat e ndihmës dhe policia nxorri nga kanionet trupat e gjashtë të rinjve që humbën jetën në një aksident tragjik mbrëmjen e djeshme.

Mjeti tyre doli nga rruga duke përfunduar në një greminë rreth 2.5 kilometra larg Çorovodës.

Në një tjetër aksident në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë humbi jetën në një aksident një 26 vjecar, ndërsa  4 persona u plagosën rëndë për shkak të përplasjes se dy mjeteve në segmentin Peshkopi-Muhurr në rrethin e Dibrës.

Shkak i aksidentit ishte shpejtësia e lëvizjes, por më shumë tymi krijuar nga djegia e zonës përrreth.

Në një tjetër ngjarje, një 39 vjecar u vra nga djali i vëllait të tij, 25 vjecar. Ngjarja e rëndë ndodhi në Fan të Mirditës, kur Agostin Tuci u qëllua me armë zjarri nga nipi i tij Fatmiri.

Vëllai i viktimës dhe babai i autorit të ngjarjes, Lek Tuci, 60 vjec, duke tentuar të ndihmonte të birin, u kap nga forcat e rendit dhe më pas tregoi edhe vendndodhjen e të birit, i cili fshihej poshtë një ure së bashku me armën e krimit.

Autoritetet mendojnë se vrasja ka ndodhur për konflikte pronësie.

Ndërkaq tre vetëvrasje u regjistruan në të gjithë vendin, një në Shkodër ku u gjet e vetëvarur një 19 vjecare në fshatin Gimaj, një tjetër rast vetëvrasjeje u regjistrua në Librazhd ku u gjet i varur një 53 vjecar si dhe rasti tjeter i një burri 54 vjec që u gjet në një shtyllë të tensionit të lartë. 

Top Channel