Bashkëjetesa me mbeturinat

14/08/2011 16:00

Kazanët e plehrave vetëm sa zënë vendin kot. Pse të hedhësh mbeturinat në kosha kur mund t’i hedhësh në anë të një rruge e tu vësh flakën?

Kjo ishte një nga përshtypjet mbi Shqipërinë e një grupi turistësh nga Zelanda e Re, të cilët kaluan edhe përmes vendit tonë në kuadër të një turi europian. Një nga gjërat që shënuan në një blog neozelandez ishte hedhja e mbeturinave rrugëve e parqeve.

Hedhjen e mbeturinave në mjedise publike, pak ditë më parë kryeministri Berisha e cilësoi një ves nga i cili duhet të heqim dorë për të mos shkatërruar turizmin.

Por, duket se vese të tilla janë bërë normë jetese për shumë qytetarë, të cilët vërtet nuk preferojnë t’i hedhin mbeturinat në kazanë edhe kur i kanë ata vetëm pak metra larg.

Anëtarë të korpusit të vullnetarëve janë rikthyer në plazhin e Gjirit të Lalëzit një muaj pasi e pastrusan atë nga çdo mbeturinë. Por, parku i pishave i frekuentuar më së shumti nga pushues të kryeqytetit, ishte sërish në të njëjtën gjendje.

Mbi 100 vullnetarë punuan sërish për disa orë me radhë për  pastrimin e tij, tashmë të bindur se ai nuk do të mbahet i pastër, por si përpjekje për të apeluar.

Të bindur se, ashtu si bizneset, edhe qytetarët që ndotin mjedisin duhet të penalizohen, organizatoret e lëvizjes vullnetariste mjedisore, Forumi i Mendimit të Lirë, po punon dhe lobon për hartimin e një baze ligjore për sanksioninim e gjobave për qytetarët ashtu si edhe në vendet e tjera.

Top Channel