Surrel, mbetet pezull Parku i Totalitarizmit

13/08/2011 08:40

I shpallur si një projekt ambicioz në mars të këtij viti, përgjatë
këtyre muajve nuk është bërë asgjë për Parkun Kombëtar të
Totalitarizmit.

Zgjedhja e një vendi si Reparti Ushtarak 5011/45 në Surrel të Tiranës, tashmë jofunksional, u duk gjithashtu një zgjedhje intriguese. Gjatë prezantimit të kësaj ideje, atëherë në prani edhe të ish-ministrit Ferdinand Xhaferaj, u tha se ky park do të plotësonte kërkesat e turistëve për të parë gjurmë të diktaturës, ndonëse jo në qendër, por në periferi të Tiranës.

Ndonëse në mes të një diskutimi të nxehtë, ku ka nga ata që e shohin të shkuar që duhet harruar e të tjerë si një periudhë që duhet dokumentuar, të huajt që vijnë në Shqipëri duan të mësojnë e të shohin dëshmi konkrete të periudhës 50-vjeçare për të cilën është folur shumë 20 vitet e fundit.

Universiteti “Polis”, i ngarkuar për hartimin e projekt-ideve mbi ngritjen e këtij parku, ka mbetur në fazën fillestare. Në muajin mars, Besnik Aliaj, rektori i universitetit prezantoi pesë projektidetë, emëruar Divizion 5011-45, Standby 5011-45, Surrel EKG, potenciali i energjisë dhe Surrel, të cilët ofrojnë versione të ndryshme të shfrytëzimit të hapësirave fizike, por në thelb parashikojnë arkiv për Bibliotekën Kombëtare dhe Galerinë e Arteve, sallë ekspozimi, sallë takime publike dhe kërkimi shkencor, sallë konferencash dhe ambiente të hapura që mund të përdoren si për ekspozim, ashtu edhe për pushim të vizitorëve të këtij parku.

Puna ka ngelur në këtë fazë. Sipas tyre, duhet të jetë Ministria e Kulturës ajo që do të çojë përpara këtë iniciativë. “Ne kemi hartuar disa projekte alternative për ngritjen e këtij parku, por zhvillimet e mëtejshme nuk janë në dorën tonë”, shprehet Sotir Dhamo nga universiteti “Polis”.

Në fakt, sipas diskutimeve të atëhershme, projekti duhej t’i nënshtrohej një debati publik para se të përzgjidhej, ndërkohë që u sigurua që kjo periudhë as nuk do të glorifikohej, as nuk do të mbahej qëndrim kundërshtues. Në fakt, ky projekt lindi si kërkesë e Galerisë Kombëtare të Arteve dhe Bibliotekës Kombëtare që arkivat e tyre të kësaj periudhe të mos asgjësoheshin, por të ekspozoheshin në këtë park. Bëhet fjalë për vepra artistike, kryesisht skulpturë të atyre viteve dhe për koleksione të letërsisë së sovjetizmit që kanë bllokuar ambientet e bibliotekës. Në fakt, në kryeqytet nuk ka asnjë muze të diktaturës pas prishjes edhe të pavijonit të gjenocidit komunist, që pritet të ringrihet së shpejti në Muzeun Kombëtar.    

Top Channel