Makinat, taksat që do të paguhen në doganë

13/08/2011 08:10

Pas heqjes së taksës mbi importin e makinave të përdorura, shqiptarët që
importojnë një makinë për qëllime personale apo tregtare, do të vijojnë
të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar në çastin që e sjellin makinën në
territorin doganor të Republikës së Shqipërisë.

Qeveria shqiptare vendosi të heqë taksën mbi importin e makinave të vjetra, dhe ky ligj pritet të fillojë të zbatohet pas pak javësh. Taksa e importit llogaritej sipas një formule të ngatërruar e varionte nga 50 mijë lekë për makinat e benzinës me cilindratë të vogël, në 200-300 mijë lekë për makinat me cilindratë 2000-3000 cc.

Taksa mbi importin u vendos në vitin 2004 me synimin që të ndalonte importimin e makinave të vjetra, por solli për rezultat mbajtjen në punë të makinave shumë të vjetra që sakaq ishin në treg. Ndonëse kjo taksë u hoq, TVSH-ja mbi vlerën e makinës së importuar do të vijojë të paguhet.
 
TVSH-ja e paguar në doganë është 20 për qind e çmimit të shënuar në kontratën e blerjes, gjë që është e thjeshtë për t’u llogaritur.

Por për të shmangur rastet e abuzimeve,ben te ditur “Shqip”,  administrata doganore përdor sistemin e referencave. Vlera e makinave për llogaritje të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar llogaritet nga doganierët dhe agjencitë doganore sipas një udhëzimi të vitit 2006.

Çmimet referencë që zbatohen nga doganat aktualisht merren nga dy revista italiane, “QuattroRuote” dhe “Tuttotransporti”, të cilat ndryshojnë çdo vit. Aktualisht, dogana përdor si çmim referencë në zhdoganim 70 për qind të çmimit të publikuar në këto revista për markën dhe modelin përkatës.

Kjo gjë bën që çmimet e referencës shpesh janë më të ulëta sesa çmimet reale të blerjes së makinave në Gjermani apo Itali. Kontratat e shitblerjes në vendet europiane, veçanërisht në rastet kur vlera e makinës paguhet me para në dorë, kanë çmime fiktive për shkak se importuesit e kanë të qartë se çmimet e referencave janë më të ulëta.
Referencat për makinat më të reja se dhjetë vjet të publikuara te “QuattroRuote” janë me mijëra. Agjencitë e ndryshme doganore që ofrojnë shërbimin e zhdoganimit në Shqipëri janë në gjendje të informojnë për çmimet referencë të përdorura nga doganat.

Por për makinat më të vjetra se dhjetë vjet, referencat mungojnë dhe për këtë arsye, doganat përdorin një tabelë referencë me çmime që kanë për bazë cilindratën dhe nuk bëjnë dallim nëse makina është 11-vjeçare apo 20-vjeçare.

Megjithatë, për makinat 10-15-vjeçare çmimet e referencës janë shpesh më të ulëta sesa çmimet e tregut, kështu që parimi i uljes së vlerës reale të makinës të shënuar te kontrata e blerjes, funksionon edhe në këtë rast.

Top Channel