Makinat e përdorura, nga Gjermania

13/08/2011 08:15

Gjatë viteve të shkuara, çdo muaj në Shqipëri janë importuar 1500-2000
makina. Shumica dërrmuese e këtyre makinave kanë të njëjtën origjinë:
Gjermania!

Veçanërisht shtetet e jugut si Bavaria apo Baden-Württemberg. Gjermania është një eksportues i rëndësishëm i makinave të vjetra drejt Europës Lindore apo Afrikës për shkak se ka një sistem fiskal dhe administrativ shumë komod për këtë lloj tregtie.
 
Akti i shitjes së një automjeti nga tregtarët e makinave të vjetra mban vetëm një firmë dhe një vulë nga shitësi. Procedurat e çregjistrimit të mjetit në Gjermani merren përsipër nga agjenci të specializuara, të cilat shesin edhe targat e përkohshme, (të verdha për tregtinë brenda Bashkimit Europian dhe të kuqe për vendet e tjera). Makinat në transit pajisen me policë sigurimi që i lejon të udhëtojnë në 76 vende të ndryshme.

Importimi i një makine për përdorim personal deri më sot ka qenë ekskluzivitet i vetëm atyre shqiptarëve që kishin viza Shengen, por sipas “shqip”, tani mund ta bëjnë të gjithë. Një linjë avioni lidh direkt Tiranën me Mynihun, ku gjendet një treg i bollshëm makinash të përdorura. Makinat mund të piketohen paraprakisht në Mobile.de, ose duke shkuar drejtpërsëdrejti në Landstrasse, një rrugë disa kilometra e gjatë, ku në të dyja krahët janë rreshtuar njëri pas tjetrit tregtarët e makinave.

Pasi blejnë makinën, shumica e shqiptarëve e ngasin mjetin e blerë përmes Austrisë dhe Italisë deri në Bari, ku e hipin në traget për në Durrës. Por gjatë viteve të fundit edhe kalimi transit nga autostradat e reja të Kroacisë po përdoret gjithnjë e më shumë.

Top Channel