Rusi, rrëzohet avioni i mallrave, 11 viktima

09/08/2011 14:10

Një avion rus mallrash është rrëzuar në një zonë të largët lindore dhe
dyshohet që 11 personat që ndodheshin në bord të kenë vdekur.

Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet lokale, sipas të cilave avioni i tipit “Antonov-12” u gjet në rajonin Magadan, pasi u zhduk nga radarët mëngjesin e sotëm.

Sipas një prokurori, ekuipazhi i avionit kishte raportuar se një nga katër motorët e tij kishte marrë flakë pak momente pas ngritjes në ajër.

I njëjti burim saktëson se 11 personat që ndodheshin në bord ishin 9 anëtarë të ekuipazhit dhe dy pasagjerë.

“Mbetjet e avionit u gjetën 200 kilometra nga fshati Omsukcan. Sipas informacioneve paraprake, 11 personat kanë humbur jetën nga përplasja”, ka deklaruar prokurori.

Përpjekjet e skuadrave të shpëtimit për të arritur në vendin e ngjarjes, në një pyll të dendur, janë vështirësuar nga prania e mjegullës.

Top Channel