Turqi, urdhër-arrest për 7 komandantë

08/08/2011 18:00

Një gjykatë turke ka urdhëruar arrestimin e shtatë gjeneralëve dhe admiralëve, të akuzuar për komplot për rrëzimin e qeverisë.

Ata kanë qenë nën hetim pasi dyshoheshin për përfshirje në ndërtimin e disa faqeve interneti anti-qeveritare në vitin 2009.

Gjenerali Nusret Tasdeler, shef i komandës stërvitore, dhe gjenerali Ismail Pekin, shef i shtabit të inteligjencës ushtarake, thuhet se janë mes këtyre personave.

Dhjetra oficerë të tjerë të ushtrisë turke ndodhen në burg në kuadër të një hetimi tjetër, të lidhur me tentativën për provokimin e një grushti shteti.

Katër komandantët më të lartë, përfshirë shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralin Isik Kosaner, dhanë dorëheqjen 10 ditë më parë në shenjë proteste ndaj burgimit të oficerëve.

Komploti dyshohet të ketë nisur në vitin 2003, në Stamboll, në bazën e Ushtrisë së Parë, pak kohë pasi Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, me baza islamike, erdhi në pushtet.

Top Channel