Kriza, Europa në panik

08/08/2011 15:00

Marrëveshja e udhëheqësve të Eurozonës në 21 korrik për të shpëtuar
Greqinë dhe Irlandën nuk po e përmban dot vorbullën europiane të
borxheve.

Javën e kaluar vëmendja u fokusua në Spanjë dhe Itali, por të tjera vende po vihen në radhë. I fundit është Qipro, një vend i vogël në Bashkimin Europian që me gjasa do të ketë nevojë për shpëtim. Edhe pse financat e qeverisë qipriote duken në rregull, vendi ishullor ka një sektor bankar shumë të madh ndaj prodhimit kombëtar dhe të ekspozuar fort ndaj Greqisë.

Një pështjellim i lehtë i krizës greke e nxjerr qeverinë e Qipros jashtë loje dhe të pafuqishme për të shpëtuar bankat e saj. Por Qipro nuk është vendi i vetëm, ku këmbana e alarmit po bie.

Franca, e cila vazhdon të jetë ende në anën e atyre që paguajnë para për të shpëtuar të tjerët,  kohët e fundit po tërheq gjithmonë e më shumë vëmendje. Problemi i Francës lidhet me Italinë dhe paratë që ajo paguan në fondin e shpëtimit. Pas marrëveshjes së 21 korrikut, interesat e borxheve sovrane, në Qipro, Itali,Spanjë dhe Belgjikë kanë vazhduar të rriten që do të thotë se tregjet nuk u qetësuan. Në përgjigje Komisioni Europian kërkoi rritjen e fondit 440 miliardë euro të shpëtimit për të përballuar panikun.

Ekspertët thonë se ky fond mund të mjaftojë për të shpëtuar spanjën apo ndonjë vend tjetër të vogël, por nëse hyn në lojë Italia do të duhen shumë më tepër. Nëse BE do të kërkojë të tjera para, shkruan “The Economist”, Gjermania mund ta përballojë, por Franca, që është kontributori i dytë pas Gjermanisë do të lëkundej dhe borxhi i saj mund të arrijë në 100 për qind të prodhimit kombëtar. Sakaq tregjet duket se kanë filluar ta ndjejnë rrezikun, teksa interesat e borxhit francez po rriten.    

Top Channel