ISAF: Helikopteri u rrëzua nga talebanët

08/08/2011 21:45

Helikopteri “Chinook” që u rrëzua të shtunën në provincën afgane Maidan Uardak, duke shkaktuar vdekjen e 31 ushtarëve amerikanë dhe 7 afganë, është goditur nga një predhë e tipit “RPG”, e qëlluar nga talebanët.

Kështu deklaron Forca Ndërkombëtare për Asistencën dhe Sigurinë në Afganistan, ISAF, që ka konfirmuar edhe nisjen e një hetimi.

Ndërkohë, Pentagoni e ka cilësuar rrëzimin një “incident të jashtëzakonshëm”, që nuk ndryshon kursin e konfliktit në Afganistan.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe presidenti Barack Obama, i cili ka theksuar se nuk do të ketë strehim për terroristët.

“Kam folur me gjeneralët tanë në terren. Misioni ynë vazhdon, për të garantuar se Afganistani nuk do të jetë një strehë për terroristët. Do të kemi sukses”, ka deklaruar Obama.

Në një fjalim të mbajtur për të përkujtuar 31 ushtarët që humbën jetën të shtunën, presidenti i Shteteve të Bashkuara gjithashtu ka thënë:

“Humbja e tyre na kujton me dhimbje rreziqet që marrin përsipër burrat dhe gratë tona me uniformë, për sigurinë e vendit të tyre”.

Top Channel