Greqia ka fituar para nga Shqipëria më shumë se sa remitancat

08/08/2011 08:10

Emigrimi shqiptar në Greqi është një fenomen që shkon paralelisht me
rritjen e importeve të Shqipërisë nga ky vend, si dhe rritjen e pranisë
së investimeve greke në Shqipëri dhe për këtë arsye, nacionalizmat
kundër emigrantëve shqiptarë janë të papranueshme, thotë shoqata e
biznesit, Konfindustria.

“Alb Konfindustria shpreh shqetësimin lidhur me njoftimet e fundit për përpjekjet e vendi,marrjes politike të Greqisë për ndalimin e dërgimit të të ardhurave dhe kapitaleve të emigrantëve shqiptare në atdhe. Përpjekjet e mësipërme janë në kundërshtim të plotë me parimet kryesore të demokracisë, globalizimit të tregjeve dhe të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë e vërteta e plotë e shkëmbimeve të kapitaleve financiare dhe të ardhurave personale ndërmjet të dyja vendeve flasin në humbje të qartë të Shqipërisë në favor të Greqisë”, deklaroi administratori i kësaj shoqate, Gjergj Buxhuku.

Disa ditë më parë, disa deputetë të Parlamentit të Greqisë kërkuan të dhëna nga banka qendrore e këtij vendi mbi sasinë e parave të fituara nga emigrantët shqiptarë në këtë vend dhe të kthyera në Shqipëri, në një valë nacionalizmi që duket se synon të kërkojë fajtorët për krizën greke mes emigrantëve. Deputetët që morën përgjigje formale nga Banka e Greqisë nuk pyetën se sa janë paratë që ky vend përfiton nga eksportet drejt Shqipërisë apo se sa janë paratë që kompanitë greke fitojnë falë bizneseve të tyre në vendin tonë.

Nga viti 2004 deri në vitin 2010, Shqipëria ka importuar mbi 3 miliardë euro mallra nga Greqia, ndërsa sasia e fitimeve reale të investimeve greke në Shqipëri është po aq e panjohur sa edhe paratë e sjella dorazi nga emigrantët. Megjithatë, këto fitime vlerësohen në rendin e miliardave gjatë dekadës së fundit.

Top Channel