Dita e 12 e grevës së urisë

05/08/2011 19:55

Në ditën e 12-të të grevës së minatorëve të Bulqizës ende asnjë zgjidhje nuk duket në horizont.

Gjendja e grevistëve është rënduar më tej, ndërsa palët janë mjaftuar me akuza në distancë me njëra-tjetrën. Kompania ACR ka insistuar në qëndrimin e saj për të mos negociuar me Kol Nikollën dhe Taf Kolecin, të cilët sipas saj po çojnë drejt një rruge pa krye të gjithë situatën e krijuar.  

Sipas ACR, Nikolla e Koleci fshehin pas vetes interesa personale dhe jo të minatorëve. Nga ana e kompanise është rishprehur gadishmëria për negociata, por jo me dy krerët e sindikatave. Ndërkohë, për herë të parë nga ana e minatorëve është artikuluar edhe mundësia e negociatave pa Nikollën e Kolecin si e vetmja rrugë për t’i dhënë zgjidhje përplasjes shumëditore.

“Ne kemi qenë gati për negociata. Duam vetëm të arrijmë marrëveshjen”, shprehet Luan Nika, kryetari i grevës.

Ndërkohë, drejtues të komisionit të grevës kanë shënjestruar bluzat e bardha. Sipas tyre, mjekët e Bulqizës nuk i janë përgjigjur me gadishmërinë e kërkuar nevojave të tyre.

“Sot është dita e 12 dhe gjendja ështrë e rënduar. Nga spitali nuk kemi pasur asnjë lloj vizite. Institucionet nuk interesohen për ne”, shtoi Nika.

Por i kundërt ka qenë qëndrimi i kreut të spitalit të Bulqizës, i cili siç bëhet e ditur ka marre direktiva të veçanta edhe nga Ministria e Shëndetësisë për të dhënë asistencë 24 orë në 24 për grevistët.

“Ata disponojnë vetëm 1 telefon dhe nuk pranojnë asnjë lloj kontakti. Ata kërkojnë ndihmë vetëm për shokët që janë në gjendje të rëndë”, deklaroi Fatos Hoxha, drejtori i spitalit.

Mbetet për tu parë se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme, kur duket se palët tashmë janë përballë ngërçit të përfaqësimit në tavolinën e negociatave. Nga njëra anë ACR kërkon të negociojë me vetë minatorët, por në këtë pikë has në kundërshtimin e Kol Nikollës dhe Taf Kolecit, dy drejtuesit e sindikatës. Gjendja e minatorëve sa vjen e po rëndohet, ndërkohë që kjo duket se nuk po shqetëson në masën e duhur sindikatën, e cila po insiston më shumë në drejtimin personal të negociatave se sa në zgjidhjen reale të tyre.

Top Channel