Ngec rritja e eksporteve shqiptare

30/07/2011 08:45

Rritja e eksporteve të Shqipërisë gjatë muajve maj dhe qershor qe zero, për herë të parë pas një viti e gjysmë rritjeje të pandërprerë.

Lajmi bëhet i ditur nga Instituti i Statistikave. Në maj, Shqipëria eksportoi 118 milionë euro mallra, nga 126 milionë euro të eksportuara në maj 2010.

Në qershor, eksportet qenë 118 milionë euro, shifër e njëjtë me një vit më parë. Eksportet shqiptare u rritën me 54 për qind gjatë vitit 2010, si pasojë e rritjes së prodhimit të energjisë elektrike dhe rritjes së prodhimit dhe çmimeve të naftës bruto.

Eksportet arritën në 1.15 miliardë euro, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Që në fillim qe e qartë se kjo rritje eksportesh u shkaktua nga shirat e pazakontë të vitit 2010, gjë që rriti prodhimin e energjisë elektrike në një rekord historik.

Por shirat e pazakontë nuk mund të ndodhin çdo vit. Këtë vit, që nga muaji mars e prapa prodhimi i energjisë erdhi në rënie dhe bashkë me të u ftohën edhe eksportet.

Eksportet e energjisë elektrike pritet të ulen ndjeshëm në pjesën e mbetur të vitit, ndërsa eksportet e naftës bruto pritet të vijojnë të rriten.

Nga ana tjetër, eksportet e kromit, të cilat zënë një pjesë të rëndësishme të eksporteve të vendit, pritet të dëmtohen nga greva e minatorëve e cila vijon tashmë prej javësh.

Eksportet shqiptare janë në masën 33 për qind të përbërë nga tekstilet dhe këpucët dhe në masën 29 për qind nga mineralet, karburantet dhe energjia elektrike.

Eksportet e tekstileve dhe këpucëve, të cilat janë veçanërisht të rëndësishme, sepse punësojnë dhjetëra mijëra shqiptarë, u rritën me 18.1 për qind gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, një rritje kjo e konsiderueshme.

Top Channel