Arratiset i akuzuari i naftës

29/07/2011 17:50

Një nga njëmbëdhjetë të akuzuarit për skandalin e naftës “Virxhin”, Hajri Elezaj, dyshohet të jetë arratisur nga Shqipëria menjëherë sapo Gjykata e Apelit ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Tiranës për ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest shtëpie në arrest burgu. (UPDATE)

Burime të besuara të Prokurorisë pohuan për TCH se sapo është siguruar ky vendim për rikthimin në burg të Elezajt është shkuar në shtëpinë e tij për ta marrë, por ai nuk është gjetur aty.

Pas verifikimeve paraprake Prokuroria ka dyshime të forta se i pandehuri është arratisur jashtë vendit.

Duke qenë se ai kishte përfituar një raport mjekësor me anë të të cilit mbrojti në gjykatë pretendimin e tij se ishte në gjendje shëndetësore të rënduar, burimet e Prokurorisë thanë për TCH se pritet të nisin hetimet për mjekët që kanë lëshuar këtë dokument.

Po ashtu Prokuroria ka nisur hetimet për biznesmenin e naftës për shkelje të vendimit të gjykatës.

Skandali i naftës “Virxhin” u denoncua së pari nga Dritan Prifti e për këtë “task force” në Prokurorinë e Tiranës nisi hetimet duke nxjerrë edhe fletë arrestet për 11 persona mes të cilëve edhe shoferë.

Por të pandehurit lanë njeri pas tjetrit qelitë, shumicës së të cilëve arresti me burg ju konvertua me arrest shtëpiak deri në përfundim të hetimeve.

Sipas hetimeve në vitet 2007-2009, sasi të konsiderueshme të nënproduktit të naftës bruto dhe të përpunuar është tregëtuar në Shqipëri në kundërshtim me ligjin duke e shitur si benzinë e pastër.

Top Channel