Breivik dhe historia e Shqipërisë

25/07/2011 20:20

Në manifestin e tij: “2083, Deklarata Europiane e Pavarësisë”, Anders Behring Breivik përmend luftën kundër myslimanizmit, një kauzë sipas tij e drejtë.

Pikërisht për këtë, ai i referohet Serbisë, duke i cilësuar të papranueshme bombardimet e Shteteve të Bashkuara dhe regjimeve perëndimore kundër “vëllezërve serbë”, që sipas tij nuk kishin asnjë qëllim tjetër vetëm atë të dëbimit të myslimanëve shqiptarë në Shqipëri.

Ai kishte krijuar lidhje përmes internetit me eksponentë nacionalistë serbë dhe të tjerë individë në Europë, duke përgatitur terrenin për krijimin e një grupi që do të kishte realizuar “Urdhërin Ushtarak dhe Gjyqësor, Kalorësit Templarë”.

Në dokumentin e tij ai e përmend Shqipërinë prej faqes 91 deri në 1411, duke përmendur historinë prej periudhës otomane, me Skëndërbeun, që e quan një kryqëzor, një hero për shqiptarët, si dhe duke iu referuar marrëdhënieve mes myslimaneve dhe të krishterëve në Ballkan dhe statistikave për popullsitë me shumicë myslimane në këtë rajon.

Ai flet për disa xhihade në botë, duke përmendur atë kundër sovjetikëve në Afganistan, të boshnjakëve kundër serbëve në ish-Jugosllavi, myslimanëve shqiptarë kundër serbëve në Kosovë dhe Cecenët kundër rusëve në Kaukaz.

Në një pjesë të “Deklaratës Europiane të Pavarësisë”, ai shkruan: “Në Europë kemi konfliktin në ish-Jugosllavi mes myslimanëve të Bosnjes, serbëve dhe kroatëve dhe konfliktin mes shqiptarëve, serbëve dhe maqedonasve dhe ndoshta me shumë gjasë, jo shumë larg, konfliktin mes shqiptarëve dhe grekëve. Nëse ne i eleminojmë këto konflikte, Ceceninë, Ballkanin, Sudanin, bota do të jetë një vend i paqmë. Nëse heqim nga ekuacioni terrorist, aktet terroriste të kryera nga myslimanët në këto pesë vitet e fundit, mund të kuptojmë se lufta kundër terrorit është e panevojshme sepse terrori nuk është ndonjë problem kaq i madh”.

Për Breivik, Kosova nuk është gjë tjetër vecse një hap tjetër në islamizimin e Europës. Ndërsa si tradhëtitë më të mëdha të kohëve të fundit të regjimeve perëndimore është anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në vitin 2009.

Top Channel