Përurohet rruga e Gosës

24/07/2011 16:35

Kryeministri Sali Berisha ka inaguruar rrugën Gose Bregdet – Bashtovë në Kavajë, 15 kilometra e gjatë me një vlerë rreth 970 milionë lekë. Ky aks lidh autostradën Kavajë-Rrogozhinë me bregdetin duke i dhënë siç tha shefi i qeverisë një zhvillim të madh ekonomik gjithë zonës.

“Rruga i jep mundësi krijimit të një poli të ri të fuqishëm turistik për Kavajën e mbarë Shqipërinë. Kjo rrugë kompleton infrastrukturën më moderne për bregun e detit të rrethit Kavajë. Rreth, i cili pret çdo vit rreth gjysmë milioni pushues nga Shqipëria e mbarë bota. Kavaja turistike është dimensioni i ri, i madh i Kavajës së lirë, i Kavajës së njerëzve punëtorë, i qytetarëve, grave e burrave që me djersë e mund ndërtojnë çdo ditë një jetë më të mirë për vetën e tyre”, është shprehur Berisha.

Zoti Berisha theksoi se qeveria aktuale vazhdon të financojë projekte të rëndësishme përsa i përket turizmit, i cili sipas kryeministrit, është një prioritet i kabinetit që ai drejton. E me këtë rast ai përmendi edhe miratimin e dy projekteve të mëdha për këtë zonë që kapin shifrën e rreth 1 miliard eurove investime.

“Sot, ne ndërtuam rrugën. Ju garantoj se sapo të përfundojmë infrastrukturën rrugore, infrastruktura e dytë e madhe do të jetë vaditja për tokat, pemëtoret, arat, drurët e çdo gjë tuajën. Ne do të bëjmë investimet më të mëdha  në vaditje, që ju të mund të merrni prodhimet e rendimentet më të larta”, theksoi Berisha.

Kryeministri theksoi se puna e qeverisë aktuale do të bëjë të harrohet varfëria dhe Shqipëria siç tha ai të futet në rangun e vendeve të zhvilluara.

Top Channel