Nepali urdhëron rimatjen e Everestit

20/07/2011 21:45

Autoritetet e Nepalit kanë urdhëruar një kontroll të ri të malit Everest, për t’u dhënë fund ngatërresave mbi lartësinë e malit më të lartë në botë.

Lajmin e ka bërë të ditur një zëdhënës qeveritar.

Lartësia zyrtare e Everestit deri tani është 8.848 metra. Por Kina dhe Nepali kanë pasur prej kohësh mosmarrëveshje lidhur me këtë matje.

Kinezët deklarojnë se ai duhet matur nga lartësia e strukturës së tij të gurtë, ndërsa nepalezët mendojnë se duhet të llogaritet edhe lartësia e dëborës, e cila e bën katër metra më të lartë.

Mali më i lartë në botë përshkon kufirin mes dy vendeve. Vitin e kaluar dy palët ranë dakord se ai duhet të identifikohet me lartësinë 8.848 metra.

Top Channel