Fyle: Duhen realizuar reformat

19/07/2011 23:10

Këshilli i tretë i Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri konfirmoi qëndrimet e Unionit, sic parashikonte dokumenti konfidencial që u publikua javën e kaluar nga TCH.

“Në mënyrë që të arrihet progres në rrugen drejt BE-së, reforma zgjedhore dhe kushtetuese, reforma në rregullat dhe procedurat e parlamentit, sikundër dhe reformat e tjera kyce, janë thelbësore dhe urgjente”, deklaroi komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle.

Vendit i kërkohet që të fokusohet në qendrueshmërinë e institucioneve për të garantuar demokraci, sundimin e ligjit, reformën zgjedhore, atë në drejtësi, në administratë, në mbrojtjen e të drejtave themelore, në cështjen e pazgjidhur të pronave, në garantimin e lirisë së medias, në luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, e vecanërisht në dënimin e fajtorëve, përfshirë këtu dhe rastet e zyrtarëve të lartë.

“Dënimi i fajtorëve është parimi bazë i drejtësisë, me kusht që gjykatat dhe prokuroria të jenë të pavarur, të paanshëm dhe apolitikë”, deklaroi ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto.

Shqipërisë i mbeten edhe 2 muaj kohë për të zbatuar planin e aksionit mbi 12 prioritetet kyce të përcaktuara nga Komisioni deri në raportin e radhës të progresit, dhe mbi këtë cështje komisioneri Shtefan Fyle sqaroi përgjegjësitë përkatëse të qeverisë dhe opozitës.

“Koha e zgjedhjeve mbaroi. Tani është koha për partitë politike, për palët e interesuara në Shqipëri që të reflektojnë mbi të, mbi punën e deritanishme mbi 12 prioritetet kyce dhe t’i shndërrojnë këto dy sfida bazë në një shans. Këtu e kam fjalën së pari për perspektivën europiane dhe ato 12 prioritetet kyce, e së dyti në nevojën për të ndryshuar kuadrin zgjedhor. Të dyja këto axhenda formojnë një platformë që kërkojnë maxhorancën qeverisëse dhe opozitën që të mblidhen së bashku. Ne kërkojmë në Shqipëri që shumica qeverisëse të krijojë me të vërtetë kushtet gjithpërfshirëse për të punuar në të dyja këto cështje dhe ne duam në Shqipëri një opozitë me të vërtetë konstruktive që të marrë pjesë në punime dhe në institucionet demokratike, e këtu më lejoni t’a bëj absolutisht të qartë, se mospjesëmarrja gjatë punës së institucioneve demokratike nuk përputhet me aspiratat europiane të Shqipërisë”, theksoi Fyle.

Me nota me pozitive u vlerësua kriteri ekonomik, zbatimi i MSA-së, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, si dhe u përmend procesi i liberalizimit të vizave që hyri në fuqi në dhjetor 2010.

PERGATITI: Arta Tozaj

Top Channel