Thatësira, OKB ndan ndihma në Somali

17/07/2011 08:50

OKB ka bërë shpërndarjen e parë të ndihmave për viktimat e thatësirës në zonat e Somalisë të kontrolluara nga militantët e lidhur me Al Kaedën.

Zyrtarja e OKB-së për fëmijët, Rozanne Chorlton ka deklaruar se guerrilasit e Al Shabab u kanë dhënë akses punonjësve të OKB-së, veprim ky që mund të inkurajojë agjencitë e tjera.

Njoftimi i Kombeve të Bashkuara vjen në një moment kur Mbretëria e Bashkuar vendosi në dispozicion 52 milionë stërlina për thatësirën në Somali.

Por ministri përgjegjës për ndihmat ka deklaruar se Britania e Madhe nuk do të bashkëpunojë me militantët e Al Shabab, që kontrollojnë pjesën më të madhe të Somalisë.

Andrw Mitchell po viziton kampin e madh të Dadabit, në veri-lindje të Kenias, për të vëzhguar përshkallëzimin e krizës së shkaktuar nga thatësira.

Thatësira e këtij viti konsiderohet si më e ashpra në 60 vitet e fundit dhe dyshohet se ka prekur rreth 10 milionë persona.

Top Channel