Ndotja në Krujë

17/07/2011 16:45

Djegia e mbeturinave spitalore dhe urbane në anë të aksit rrugor Krujë-Qafë Shtamë është kthyer në një shqetësim i gjithë banorëve të zonës.

Punonjësit e pastrimit hedhin mbeturinat në anë të rrugës nacionale gjatë ditës, por natën atyre u vihet zjarri, ndërsa era e rëndë dhe tymi shpërndahet jo vetëm në fshatrat e Malësisë së Krujës, por deri në qytet.  

Drejtori i Shëndetit publik të Krujës, Ilir Tabaku, u shpreh jashtë kamerave se ka ngritur shqetësimin në rrugë zyrtare, por nuk ka gjetur mbështetje as në polici, bashki apo nga Inspektorati i Mjedisit.

Inspektori i mjedisit shprehet se ka gjobitur bashkinë dhe spitalin disa herë, por askush nuk ka marrë masa.

“Është gjobitur Bashkia e Krujës me 5 milionë lekë dhe spitalin me 20 milionë lekë. Do të vijojmë të këmbëngulim për zgjidhjen e këtij problemi”, shprehet Gjin Shkëmbi, inspektor i mjedisit.

Shkëmbi shpreson se me ardhjen e kreut të ri të bashkisë gjendja mund të ndryshojë.

 

Top Channel