Lejet e ndërtimit u dyfishuan këtë vit

15/07/2011 08:30

Lejet e ndërtimit të dhëna në Shqipëri gjatë periudhës janar-mars 2011 qenë 2.5 herë më të larta se sa në tremujorin e parë të vitit 2010, bëhet e ditur nga një raport statistikor i publikuar nga Instituti i Statistikave.

Lejet e ndërtimit pësuan rritje të konsiderueshme prej 57 përqindësh gjatë vitit 2010 në krahasim me vitin 2009, por kjo rritje qe ende shumë e ulët në krahasim me ecurinë e tyre në tremujorin e parë të këtij viti.

Gjithsej 503 leje ndërtimi me sipërfaqe të përgjithshme prej 883 mijë metra katrorë sipërfaqe banimi apo shërbimesh u dhanë gjatë muajve të parë të këtij viti kundrejt 137 lejeve me sipërfaqe prej 204 mijë metrash katrorë të dhëna në të njëjtën periudhë të vitit 2010.

Durrësi mban numrin rekord të lejeve të dhëna, 105 të tilla me 73 mijë metra katrorë të dhëna këtë vit, një rritje prej katër herësh në krahasim me 28 leje ndërtimi me sipërfaqe 15 mijë metra katrorë të dhëna një vit më parë.

Në vend të dytë është Qarku i Gjirokastrës, (lejet më të shumta u dhanë në Bashkinë e Sarandës) me 85 leje të reja dhe 64 mijë metra katrorë sipërfaqe të programuar apartamentesh.

Lejet e dhëna në Korçë, ndonëse qenë vetëm pesë të tilla, kanë një sipërfaqe të planifikuar ndërtimi prej 289 mijë metrash katrore.

Edhe Vlora, ndonëse me një numër të kufizuar prej 48 lejesh, ka një sipërfaqe të programuar ndërtimi prej 255 mijë metrash katrore.

Shkaku kryesor i këtij bumi lejesh ndërtimi besohet se janë zgjedhjet e 8 majit, ku shumë kryebashkiakë nën frikën e mosrizgjedhjes e lëshuan dorën me leje ndërtimi.

Kompanitë e ndërtimit janë ankuar shpesh gjatë dy viteve të fundit për ecuri të keqe të shitjeve, si pasojë e krizës, por këto vështirësi duket se nuk e penguan të tërheqë një sasi rekord lejesh ndërtimi në muajt e fundit të vitit 2010 dhe muajve të parë të këtij viti.

Top Channel