Tentativë grabitje në Mamurras

13/07/2011 03:55

Dy persona kanë tentuar të grabisin një pike argjendarie në qendër të qytetit të Mamurrasit.

Hatixhe Ajazi, pronarja e dyqanit që merrej me tregtimin e floririt por edhe materiale të tjera të veshmbathjes, ka qenë në lokal, kur një makinë me xhama të zinj është ndaluar para lokalit të saj.

Prej andej dy pesona të cilët kishin vendosur në kokë corape, kanë hyrë në dyqanin  e saj, ndërsa në dorë mbanin pistoleta.

Pasi e kanë kërcënuar pronaren e  dyqanit, dy të rinjtë kanë qëlluar me pistoletë në tavanin e lokalit, ndërsa më pas kanë tentuar të thyejnë xhamin  e banakut, për të marrë edhe sendet e florit.

Por ka qenë bashkëshorti i Hatixhe Ajazit që ka hapur derën e shtëpisë pasi ka degjuar edhe të shtënën e armës, që ka detyruar dy grabitësit të largoheshin me shpejtësi pa arritur dot të marrin sendet e floririt.

Policia ka mbërritur në vendin e  ngjarjes duke nisur hetimet. Kjo është hera e tretë që kjo pikë grumbullimi dhe shitje të sendeve të florit bëhet objekt grabitje pavarësisht se objekti ndodhet 50 metra larg rajonit të policisë.

Top Channel