Dy të vrarë në Lezhë

12/07/2011 22:30

Dy persona kanë humbur jetën për shkak të një konflikti për pronësinë e një rruge këmbësorësh në fshatin Kallmet të Lezhës. (UPDATE)

Viktimat janë të dy bashkëfshatarë, Preng Brunga dhe Pjetër Pjetri, të dy të vrarë me armë gjahu.

Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Lezhës ngjarja dyshohet se ka ndodhur kështu: Preng Brunga 55 vjec dhe Pjetër Pjetri 43 vjec janë konfliktuar në grindjen e radhës me njëri-tjetrin duke mos lejuar njëri-tjetrin të kalonte tek një rrugë e fshatit e cila sipas policisë faktikisht nuk ishte në tokën e asnjërit.

Më pas shpjegojnë burimet Pjetër Pjetri e ka qëlluar për vdekje me armë Preng Brungën duke e lënë të vrarë në vend.

Por menjëherë pas kësaj i biri i viktimës, Ylli Brunga, 21 vjec ka shkuar në banesë ka marrë një armë gjahu dhe ka qëlluar në drejtim të Pjetër Pjetrit.

Për pasojë ai ka mbetur i plagosur rëndë dhe rrugës duke u transportuar për në Spitalin Ushtarak edhe ai ka ndërruar jetë.

Drejtori i Policisë së Lezhës pohoi për Top Channel se është arrestuar menjëherë autori i vrasjes së Pjetër Pjetrit, Ylli Brunga.

Më herët për këtë ngjarje policia dyshoi se të dy burrat kishin qëlluar me cifte në drejtim të njëri-tjetrit. Ky dyshim referohej edhe në bazë të vendngjarjes.

Por dëshmitarët kanë përmbysur versionin paraprak duke zbardhur komplet këtë ngjarje të rëndë. Vrasjet ndodhen rreth orës 20.00 në vendin e quajtur Rruga e Dilicës.

Top Channel