Koci: Republika ra

11/07/2011 20:00

Kryetari i Partisë Socialiste të Vërtetë, Petro Koci ka hedhur poshtë pretendimet e kryeministrit Sali Berisha për një triumf, sic e cilësoi ai rezultatin e arritur nga koalicioni i djathtë.

“Triumfi i vërtetë ka qenë i opozitës, sepse nëse Berishës i kujtohet, debati elektoral ka qenë për kryetar bashkie, jo për këshillat dhe komunat. Mendoj se votat për këshillat duhen parë si një mekanizëm që u fut në lëvizje për shkak të kandidatëve që kryesonin listat e partive të vogla. Pra, kanë qenë vota personale”, ka deklaruar Koci.

Ndryshe nga kryeministri Berisha, i cili e vlerësoi vendimin e Kolegjit Zgjedhor si historik, Petro Koci thotë se vendimi shkatërroi njëherë e mirë marrëveshjet para-eletorale për zbatimin e rregullave të lojës.

“Vendimi i Kolegjit ka qenë historik në kuptimin që i dha një goditje të fundit shpresës se mund të ndërtohet shtet përmes marrëveshjeve. PD u tregua plotësisht e pabesë për të respektuar një marrëveshje, që kur u bë Kodi Elektoral, shumica e administratës zgjedhore i takonte një partie”, ka pohuar Koci.

Përballë një situate të tillë, kur institucionet e drejtësisë ose nuk funksionojnë, ose funksionojnë duke iu bindur urdhërave politikë, për Petro Kocin kjo do të thotë fundi i një republike.

“Jemi duke ardhur tek fundi i një republike. Vendi ka nevojë për një republikë të re. Kemi nevojë për një kod politik, por është edhe sistemi që funksionon vendi. Opozita ka shansin që të hapë një perspektivë të re për të ndryshuar gjithë sistemin. Kemi një republikë të re dhe opozita ka një shans të madh”, ka theksuar Koci.

Por në të tilla kushte të një klime politike të tensionuar, a ka hapësira për dialog mes mazhorancës dhe opozitës? Zoti Koci e shikon të vështirë, pasi sipas tij, kryeministri Berisha ka shkelur marrëveshjet e mëparshme.

“Pabesia e PD dhe qeverisë ndaj marrëveshjeve të 2008-ës, përbën një arsye që shpresa për dialog të mos ekzistojë. Opozita duhet të luftojë dhe ta detyrojë qeverinë të vijë në kushtet e dialogut, në interes të progresit të Shqipërisë dhe jo të pazareve, për të cilat Berisha është mjeshtër”, ka shtuar Koci.

Top Channel