Pastrimi i parave, progresi s’mjafton

07/07/2011 20:10

Një raport prej 518 faqesh i hartuar nga FMN dhe i certifikuar nga një Komitet i posacëm me ekspertët e Këshillit të Evropës evidenton mosfunksionim të luftes kundër pastrimit të parave në Shqipëri.

“Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshem për të përmirësuar regjimin e pastrimit te parave dhe financimit të terrorizmit që nga viti 2006. Megjithatë, rreziku i pastrimit të parave mbetet i lartë. Shqipëria ka një histori të krimit të organizuar te bazuar në klane dhe me rrjete të organizuara në hierarki, të cilat janë të përfshira në trafikun e drogës”, vlerëson raporti.

“Përmasa relative e ekonomisë informale e bazuar në para të thata lehtëson pastrimin dhe integrimin e të ardhurave nga krimi. Numri i sektorëve të identifikuar me praktika të paligjshme, duke përfshirë ngritjen e paligjshme të lojrave të fatit dhe të zyrave të këmbimit, si dhe dobësitë që lidhen me transportin ndërkufitar të valutës, e vënë gjithashtu Shqipërine në rrezik për aktivitetin e pastrimit të parave”, thuhet në të.

Raporti vëren se ekonomia gri shmang lehtësisht ligjet parandaluese dhe shpreh shqetësim për mundësinë e financimit të terrorizmit.

“Me gjithë përpjekjet e autoriteteve për të zvogëluar përdorimin e të hollave nën dorë, përdorimi i parave nëpërmjet ekonomisë informale mbetet një problem në Shqipëri. Përdorimi i ekonomisë informale ka një impakt në efikasitetin e përgjithshëm të masave parandaluese, meqenëse transaksionet e lehtësuara nga këto kanale shmangin masat parandaluese të vendosura nga autoritetet. Shqipëria mbetet gjithashtu në rrezik në lidhje me financimin e mundshëm të aktiviteteve terroriste”, thekson raporti.

Në konkluzion, raporti përmban 49 rekomandime në mënyrë që vendi të përmbushë standartet e kërkuara në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Ky është raporti i 4-t mbi Shqipërinë dhe paraqet ecurinë e vendit që prej raportit të 3-të që u publikua në vitin 2006.

Top Channel