Topi: Vendimi i Kolegjit të jetë i pandikuar politikisht

05/07/2011 14:00

Presidenti i Republikës Bamir Topi priti në mesditë kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadorin Eugen Wollfarth.

Kreu i Shtetit shqiptar, duke diskutuar për situatën paszgjedhore në vendin tonë, theksoi “nevojën e përmbylljes së procesit të zgjedhjeve vendore të datës 8 maj 2011 sipas ligjeve në fuqi dhe pritjes me qetësi nga të gjitha palët të gjykimit përfundimtar, të paanshëm e të pandikuar politikisht nga ana e institucioneve të pavarura ligjore përkatëse, në këtë rast të Kolegjit Zgjedhor, që do të thotë fjalën e fundit në lidhje me këtë proces të stërzgjatur.”

Në këtë pikë, Presidenti Topi dhe Ambasadori Wollfarth vunë në pah nevojën për nisjen sa më shpejt të punës me konsensus dhe dialog ndërpartiak për reformimin e Kodit Zgjedhor në fuqi dhe përmirësimin e mangësive të tij aktuale. Presidenti dhe ambasadori i OSBE-së, ndanë të njëjtin shqetësimin përsa i përket mosshpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve vendore, duke vënë në dukje se: “Në këto momente duhet të funksionojë vetëm ligji dhe shteti i së drejtës në mënyrë që të zbatohen standardet e vërteta të drejtësisë e të demokracisë më të konsoliduar perëndimore.”

Top Channel