Berisha: Reformat, motoja e qeverisë

01/07/2011 09:55

Kryeministri Sali Berisha, duke folur në konferencën për administratën publike, ka deklaruar se reformimi i këtij sektori është një prioritet.

Sipas kryeministrit, vetëm në këtë mënyrë administrata publike shqiptare do të jetë e aftë të përballet me sfidat që i dalin sot përpara.

“Cështja e reformës administrative është e rëndësishme. Administrata pubblike ka një mision të rëndësishëm, që mund ta përmbushë duke pranuar të reformohet në mënyrë të pandërprerë. Reformimi i administratës publike, përgatitja e saj për t’u përballur me sfidat e botës mbetet konstante”, ka pohuar Berisha.

Sipas tij, në vitet e fundit administrata ka bërë një progres të mundshëm falë realizimit të reformave nga qeveria e tij.

“Administrata publike shqiptare, në zbatim të politikave, ka shënuar reforma të thella në këtë vend. Kjo administratë ka një horizont dhe një nivel të ri”, ka nënvizuar Berisha.

Kreu i qeverisë ka theksuar se përmes reformave është arritur gjithashtu rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare, që kishte qenë ndër më të falimentuarat në Evropë.

“Nga një vend i papërfillshëm për biznesin, ku korrupsioni ishte kthyer në sistem, ku krimi bënte ligjin, sot, në sajë të këtyre reformave, vendi ynë renditet në ekonomitë më të mira”, ka deklaruar Berisha.

“Shqipëria është i vetmi vend që nuk hyri në recesion, që ka vendosur transparencën më të madhe në prokurimet publike, në sistemin e inspektimeve dhe investimeve. Pra, një tërësi reformash bënë që ekonomia shqiptare në periudhën e tsunamit të mbetet jashtë recesionit”, ka vijuar ai.

Kryeministri ka shtuar më tej se reforma kanë njohur edhe sektorë të tjerë si arsimi, gjyqësori, etj. “Reformat do mbeten moto e kësaj qeverie”, ka shtuar Berisha.

Top Channel