Pavarësia e SHBA-së ”bashkon” politikanët shqiptarë

30/06/2011 23:15

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës  në Tiranë e ka festuar pak më herët 235 vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë, e miratuar nga Kongresi më 4 korrik 1776 dhe ndryshe nga herët e tjera festa nuk është organizuar në territor amerikan, por në qendër të Tiranës tek Galeria Kombëtare e Arteve.

Ambasadori Aleksandër Arvizu ka pritur në hyrje për minuta të tëra të ftuarit e tij, ku natyrisht, spikasnin si gjithmonë, politikanët dhe njerëzit e mediave, me shumicën e të cilëve edhe pse ka vetëm 7 muaj në Shqipëri, ambasadori Arvizu i ka bërë miq dhe ka krijuar një komunikim të afërt.

Në festë ishin të gjithë figurat ku kamera mund të fiksohet dhe ka se cfarë të pasqyrojë. Një largim deri në shmangie e kryeministrit Berisha dhe liderit të opozitës, Edi Rama, të cilët qendruan larg  njëri-tjetrit. Por mungesë komunikimi, që nuk surprizoi askënd, megjithë afërsinë e tyre fizike, u vu re mes ciftit Nano dhe ciftit Rama.

Ndërsa një bisedë të rëndësishme duket se kanë bërë Lulzim Basha dhe Ilir Meta, të dy në pritje të vendimeve të rëndësishme, njëri nga Kolegji Zgjedhor, tjetri nga Gjykata e Lartë.

Megjithatë, përtej ngjyrimeve të forta që merr herë pas here politika shqiptare, një gjë është e sigurtë: vendi ka në krah një aleat të fortë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një mesazh që e përforcoi në festën kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ambasadori Aleksandër Arvizu.

”Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dhe do të mbeten gjithmonë mbështetëse e patundur e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar. Amerika është në anën tuaj, ndërkohë që ju vazhdoni të ndërtoni një shoqëri të fortë, të ndershme dhe të drejtë. Një shoqëri në të cilën potenciali i plotë i Shqipërisë të mund të realizohet, ku aspiratat dhe pritshmëria e arsyeshme të përmbushen, ku shpresa është e gjallë dhe ëndrrat bëhen realitet”, tha në fjalën e tij ambasadori Arvizu.

Në festën amerikane numri i të ftuarve nuk ishte aq i madh sa për të penguar të vije re lëvizjet e politikanëve dhe ambasadorit Arvizu, i cili u ndal më gjatë në bisedë me kryeministrin Berisha dhe më pas me kreun e opozitës Edi Rama.

Nga xhestet nuk duket se situata aktuale post-zgjedhore është bërë pjesë e bisedës, por ajo do të bëhet, pashmangshmërisht pas 4 korrikut, kur afrohet edhe dita që do të qartësojë se cili do të jetë vendimi përfundimtar për Tiranën.

Top Channel