Raporti i DASH, kritika Shqipërisë

27/06/2011 23:00

Shqipëria është një vendburim i trafikimit të burrave, grave dhe të fëmijëve që detyrohen të kërkojnë lëmoshë.

Në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se viktimat e trafikimit në Shqipëri ndahen në dy grupe: ata që bëjnë punë të detyruar dhe ata që i nënshtrohen shfrytëzimit seksual brenda Shqipërisë, por edhe në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë dhe Europën Perëndimore.

Sipas DASH gati gjysma e viktimave të raportuara për vitin 2010 ishin gra dhe vajza, viktima seksi në hotele dhe shtëpi private në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Sa për të miturit ata janë shfrytëzuar kryesisht për të kërkuar lëmoshë dhe forma të tjera të punës së detyruar.

Burrat shqiptarë, viktima të trafikut janë detyruar të kryejnë punë të detyruar bujqësore kryesisht në Greqi dhe vende të tjera fqinjë.

Organizatat joqeveritare vazhdojnë të raportojnë se ritrafikimi i viktimave shqiptare mbetet një problem.

Raporti thekson se qeveria shqiptare nuk plotëson të gjitha standartet minimale për eleminimin e trafikut, megjithatë ajo po bën përpjekje domethënëse. Por raporti del në përfundimin se korrupsioni, sidomos në drejtësi ka vazhduar të pengojë zbatimin e ligjeve kundër trafikimit dhe mbrojtjen e viktimave.

Mes rekomandimeve për Shqipërinë thuhet se vendi duhet të përmirësojë zbatimin e mekanizmit kombëtar të referimit duke bërë të mundur që të ndiqen penalisht punonjësit e ligjit që bashkëpunojnë në trafikimin e njerëzve, të hetojnë dhe të nxjerrin para drejtësisë autorët e trafikimit dhe të ndihmojnë në funksionimin e strukturave kundër trafikut.

Top Channel