PS, hetim sekret numërimit

27/06/2011 19:50

Ish-kryetari i KQZ, profesor Kristaq Kume, gjatë një intërviste për Top-Channel deklaroi se pretendimet e Partisë Socialiste për parregullsi të procesit zgjedhor duhet të mbështeteten në fakte të pakontestuara.

Si dhe ku mund të arrihet në mbledhjen e të tilla fakteve, të cilat sipas zotit Kume nëse vihen përpara Kolegjit Zgjedhor mund të cojnë në përsëritjen e votimit, sic edhe ndodhi me komunat Kolsh në Lezhë dhe Armen në Vlorë?

Pikërisht, gjetjen e provave, Partia Socialiste e ka nisur me evidentimin dhe analizimin e të gjitha procesverbaleve të firmosura në KZAZ-të e Tiranës, duke i krahasuar me ato që u gjetën gjatë hapjes së kutive në KQZ.

Paralelisht me hapjen e kutive nga KQZ pas urdhërit të Kolegjit Zgjedhor, në një prej zyrave të PS, 8 grupe janë duke analizuar me pamje filmike të gjithë procesin e numërit në të 11 KZAZ-ve të Tiranës.

Ky proces është duke u zhvilluar në sekret të plotë, për të ruajtur nga cdo presion apo kërcënim i mundshëm ata të cilët janë angazhuar në këtë hetim të gjerë faktmbledhës.

Kamera e Top-Channel ka patur akses ekskluziv duke filmuar këtë proces nga ku matematicienë, juristë dhe ekonomistë janë duke u përpjekur për të faktuar ato që opozita i ka denoncuar si parregullsi të procesit.

Filmimet zyrtare nga kamerat e vendosura në KZAZ-të gjatë numërimit shihen nga grupi i parë i vëzhguese, të cilët nxjerrin një rezultat. Për të eleminuar cdo gabim, materiali filmik kontrollohet edhe nga 2 grupe të tjera.

Të dhënat hidhen në një tabelë elektronike ku kryhet krahasimi me atë që është shënuar në procesverbal me tabelën përfundimtare të miratuar nga KQZ.

Sipas selisë rozë, kjo është e vetmja mënyrë për të gjetur prova të pakontestueshme se gjatë procesit të numërimit janë kryer manipulime duke deformuar procesin zgjedhor për kryetar bashkie në Tiranë.

Duke akuzuar politikisht KQZ-në, deputetja Eglantina Gjermeni paralajmëroi ndjekjen e rrugës ligjore për këto parregullsi që deformuan procesin.

“PS do vijojë të ndjekë rrugën ligjore, e bindur në drejtësinë e kauzës së saj. Numri i votave që s’përputhet me atë të votuesve, provat materiale të kutive që i panë të gjithë, nuk mund të hidhen poshtë nga asnjë gjykatë, sado i fortë të jetë presioni i Saliut”, deklaroi Gjermeni.

Mësohet se Partia Socialiste do t’i dërgojë faktet e manipulimit në prokurori, përfshirë edhe organizmat ndërkombëtarë.

Do të jetë organi i akuzës që ka tagrin e nevojshëm për të kryer hetime e më pas për t’i dhënë përgjigje pretendimit socialist se edhe pas numrit të kutive në KQZ dalin më shumë vota të gjetura në kuti se sa votues.

Një pretendim, të cilin socialistët thonë se e kanë tashmë të faktuar falë analizimit të procesverbaleve nga ky grup njerëzish të përzgjedhur.

Top Channel