Tiranë-Elbasan, qeveria tjetër borxh

25/06/2011 08:10

Një tjetër borxh u shtohet shqiptarëve. Rreth 25 milionë dollarë u
akorduan dje nga Fondi Saudit për Zhvillim, i cili pranoi kërkesën e
qeverisë shqiptare për të financuar ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan,
projekt ky që konsiderohet prioritar, pas atij të Durrës-Kukës.

Konfirmimi i huadhënies erdhi dje, gjatë takimit në Ministrinë e Financave, mes Ridvan Bodes dhe ambasadorit të Arabisë Saudite në Tiranë, Abdullah Abdulaziz Al-Abdulkarim.

Ministria e Financave, sipas “Shqip” bën të ditur se kredia ka një normë interesi 2 për qind dhe afat maturimi 25 vjet, nga të cilët 5 vitet e para janë pa pagesë.

Kredia me vlerë prej 93.750.000 Rial (25 milionë dollarë) për financimin e rrugës Tiranë – Elbasan, i bashkëngjitet një tjetër shume të marrë nga qeveria shqiptare, po te bankat arabe (222 milionë dollarë nga Banka Islamike për Zhvillim – IDB). Në total, rruga me gjatësi rreth 31.7 km, me dy tunele vajtje-ardhje, prej 4 km, parashikohet të kushtojë mbi 350 milionë dollarë, dhe deri tani, bashkë me kredinë e fundit, janë siguruar gati 250 milionë dollarë.

Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite theksoi se miratimi i kësaj kredie, vjen duke u nisur nga parimi për konsolidimin e marrëdhënieve të mira që ekzistojnë mes dy vendeve mike dhe në mbështetje të përpjekjeve të zhvillimit të Republikës së Shqipërisë.

Pjesa e mbetur e financimit është rënë dakord në parim të financohet nga të tjera institucione financiare të botës arabe, në kuadër edhe të një protokolli të firmosur në janar nga qeveria shqiptare. Pra, mund të thuhet me siguri se mbi 90 për qind e rrugës, rreth 31 kilometra, do të ndërtohet falë mbështetjes së bankave arabe, si IDB, Fondi Kuvajtian, ai i Abu Dhabit, i OPEC dhe Fondi Saudit për Zhvillim, kurse pjesa e mbetur do të merret përsipër nga qeveria shqiptare, e cila sakaq ka nisur të paguajë firmat private, në pritje të marrëveshjeve.
Komisioni parlamentar i Ekonomisë miratoi pak kohë më parë projektligjin që parashikonte ratifikimin e marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe IDB-së.

Rruga Tiranë-Elbasan do të ndërtohet krejtësisht nga e para dhe prek territore të reja, ku sipas projektit të përpiluar nga dy shoqëri italiane, parashikohen tre segmente të ndara, përfshi edhe tunelin pranë Kërrabës. Për këtë të fundit janë kryer studime dhe analiza më vete, madje duke qenë sa ka rëndësi të madhe, qeveria shqiptare kontraktoi një shoqëri italiane posaçërisht për objektin, me gjatësi 2.3 kilometra. Tuneli i Kërrabës është i ndarë me dy drejtime, vajtje-ardhje, për realizimin e së cilës u kontraktua kompania greke “Aktor”, për vlerën rreth 85 milionë dollarë, financim ky i siguruar tërësisht nga IDB-ja.

Financuesi tjetër, si Fondi i Abu Dhabit, ka rënë dakord të ofrojë rreth 100 milionë dollarë. Palët kanë aprovuar në parim marrëveshjen, por mbeten edhe shumë detaje për t’u konkretizuar. Dy të tjerat, Fondi Saudit dhe Fondi i OPEC-ut, pas disa negociatave me Ministrinë tonë të Financave, pranuan të japin hua, secila nga 25 milionë dollarë, ku njëra u konkretizua dje, me dorëzimin e shkresës nga ambasadori saudit.

Me IDB-në është rënë dakord që interesi i kredisë prej 223 milionë dollarësh të jetë 5 për qind, me afat shlyerje 20 vjet, me pagesa që nisin të shlyhen 3 vjet pas përfundimit të punimeve.

Kështu shqiptarëve u shtohet një tjetër borxh, që shkon të paktën deri tani rreth 400 milionë dollarë. Sipas të dhënave, krahasuar me vitin 2006, borxhi i jashtëm është rritur me dy herë, duke arritur në fund të vitit të kaluar në rreth 2.7 miliardë dollarë. Pjesa dërrmuese e borxhit të ri që qeveria ka marrë nga jashtë, në tre vitet e fundit, ka qenë në formën e kredive tregtare. Vetëm në dy vitet e fundit, interesat e borxhit të jashtëm u rritën me 2.5 herë nga 29 milionë dollarë në 2008-n në 73 milionë në vitin 2010.

Top Channel