Omari: KQZ politik, dëmtoi zgjedhjet

20/06/2011 21:55

Nga emisioni Shqip i gazetares Rudina Xhunga në Top-Channel, profesor Luan Omari një prej juristëve më të shquar shqiptarë, ka analizuar shkaqet se përse në Shqipëri edhe 20 vjet pas rënies së komunizmit nuk realizohen  zgjedhjeve ashtu sic duhet dhe kërkohet nga Bashkimi Europian.(UPDATE)

Zoti Omari e lidh këtë situatë me mosqënien e KQZ-s, një organ apolitik, si pasojë e ndryshimeve kushtetuese me kompromisin e dy forcave më të mëdha politike.

“Kur Kushtetuta jonë e përshkruan Komisionin e Zgjedhjeve si një organ jashtë politikës, një organ të pavarur dhe kjo u ndërrua në vitin 2008, u hoq fare si organ kushtetues. Por edhe pa ndryshimit kushtetues, ndryshimet që u bënë në Kodin Zgjedhor, deformuan karakterin apolitik i KQZ-së, që ishte i fiksuan në Kushtetutë. Kjo ishte fryma kushtetuese që KQZ të ishte apolitik”, tha juristi Omari.

Zoti Omari ka komentuar edhe rolin e Kolegjit Zgjedhor ekzistëncën e të cilët e quan si një gjë të mirë, por ai thotë se duhet të kishte edhe një tjetër shkallë ankimore mbi vendimet e Kolegjit. Juristi i njohur ka shprehur haptas pikëpamjen e tij për ndryshim të rregullave të lojës gjatë numërimit.

“Do të ishte mirë që edhe Kolegji të kishte dy shkallë, që nëse do të kishte kundërshtime, ankimimi të shkonte në një instancë të dytë. Ky propozim është racional, është një parim që cdo instancë gjyqësore duhet të ketë një instancë më të lartë”, ka nënvizuar Omari.

“Vendimi i fundit i Kolegjit Zgjedhor ishte pak i ngatërruar, jo shumë i qartë. Këtë e pohuan edhe specialistë të tjerë”, ka vijuar ai.

Zoti Omari është shprehur pro ndërhyrjes së Komisionit të Venecias në këtë cështje, por ka nënvizuar se ndërhyrja nuk mund të kërkohet nga partitë politike.

“Opinioni i Komisionit të Venecias do të na ndihmonte pasi është një organ me shumë prestigj në Evropë. Madje, ai është zgjeruar pasi ka përfaqësues edhe nga vende të tjera jashtë Evropës. Por ndihmën nuk mund ta kërkojnë partitë politike, por mund ta bëjë Këshilli i Evropës dhe kjo ka një procedurë mjaft të gjatë”, ka deklaruar Omari.

Më tej, duke u shprehur edhe kundër ndryshimeve kushtetuese, Omari ka vlerësuar se, për zgjidhjen e situatës politike në Shqipëri duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme.

Ndryshimet kushtetuese juristi Omari e shikon si burimin e shumë anomalive të shtetit shqiptar, në prishjen e balancave të pushteteve, vecanërisht në rolin e dobësuar të Presidentit të Republikës.

Top Channel