Fullani: Iku koha e kredive të lira

17/06/2011 08:00

Dikur ishin bizneset që kërkonin kredi dhe bankat i përgjigjeshin. Katër-pesë vjet më parë, kredia për ekonominë rritej me 60 për qind, ndërsa sot, pas krizës është 10 për qind.

Kushtet u shtrënguan dhe bankat po tregohen më të kujdesshme, pasi ‘kreditë me probleme’ kanë kapërcyer majat, llogaritur në mbi 60 miliardë lekë.

Këmbëngulja e Bankës së Shqipërisë për t’i nxitur bankat që të ruajnë ritmin e kreditimit ka dhënë rezultate duke mbajtur gjallë shpresat e biznesit për të investuar.

Por situata sot paraqitet më ndryshe, pasi bankat duan të japin kredi, ndërsa biznesi nuk “i pranon”, për shkak të pasigurisë për të ardhmen.

Ndikim të fortë ka dhënë edhe ekzekutimi i kolateraleve, bllokimi i pasurisë së bizneseve që kanë marrë financim nga bankat, por që nuk i shlyejnë dot në kohë.

Debati ka përfshirë aktorët më të mëdhenj të tregut, sidomos pas rastit të birrës “Norga”. Sipërmarrja private kërkon nga bankat që të jenë më të matura në rastin e bllokimit të pasurisë, kurse bankat sqarojnë se nuk kanë zgjidhje tjetër.

Në këtë pikë, qëndrimi i guvernatorit, se cilën anë duhet të mbajë, shikohet me mjaft interes nga të dyja palët. Me pak filozofi, kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, bëri të qartë se kush merr kredi duhet të paguajë, duhet të respektojë kontratën.

Megjithatë, për bankat Fullani dha mesazhin se, “për biznese specifike, vendimmarrja duhet të jetë më e kujdesshme”.

Top Channel