Rritja ekonomike, bie parashikimi

10/06/2011 15:50

Qeveria është detyruar të pranojë se rritja ekonomike do të jetë më e
ulët nga sa kishte parashikuar në fillim të vitit. Top Channel ka mësuar
se Ministria e Financave do të paraqesë në qeveri buxhetin e rishikuar,
i cili e ul rritjen ekonomike për vitin 2011 nga 5.5 në 5 për qind.

Për shkak të ecurisë më të dobët të treguesve ekonomik, që reflektohet dhe në rënien e të ardhurave në buxhet, qeveria tashmë është e detyruar të ndërhyjë në buxhet për të mos lejuar një tjetër rritje të borxhit publik. Burime nga Ministria e  Financave thonë për Top Channel se shpenzimet e buxhetit do të ulen me 16-18 miliardë lekë.

Ndonëse ende nuk ka një variant zyrtar se si do të shkurtohen shpenzimet sipas zërave, pritet që uljen më të madhe ta kenë investimet publike.Me kete shkurtim te shpenzimeve kufiri i borxhit të ri që shteti do të marrë për vitin 2011 mbetet sërish i pandryshuar, saktësisht 46.8 miliardë lekë. Me uljen e rritjes ekonomike deficitit buxhetor dhe borxhi publik do ishin përkeqësuar, por qeveria perfiton nga rritja e cmimeve  kështu që këta tregues mbeten të pacenuar.

Kjo do të thotë se edhe pse Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar realisht do të jetë më i ulët nga sa kishte parashikuar qeveria, në vlerë monetare ai mbetet i pandryshuar për shkak të inflacionit të lartë. Kjo i lë hapsirë qeverisë që të marrë më shumë borxh pa e rritur deficitin ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Top Channel