Kriteret e BE-së për statusin

10/06/2011 19:40

Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Integrimit, kryeministri Sali Berisha bëri përgjegjëse opozitën, që me qendrimet e saj bllokuese po pengon zbatimin e rekomandimeve për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. (UPDATE)

Përmbushja e 12 rekomandimeve, 8 prej të cilave kërkojnë votën e opozitës në Parlament dhe zhvillimin e zgjedhjeve, sipas standarteve ndërkombëtare, do t’i hapte Shqipërisë dritën jeshile, në mënyrë që Shqipëria të merrte këtë vit statusin e kandidatit.

Rezultati i zgjedhjeve në Tiranë ka thelluar mosmarrëveshjet mes dy forcave kryesore politike, por kryeministri Berisha tha se nuk do të ketë kompromise kundër shtetit ligjor, funksionimi i të cilit është kriteri kryesor për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

“Nuk do të mundet kurrë dhe asgjë që funksionimin e shtetit ligjor ta zëvendësojnë me kompromise joparimore, zgjidhje të momentit. Në Bashkinë e Tiranës u paraqit një rezultat i ngushtë dhe nuk ka dyshim që një rezultat i ngushtë është edhe testi më i madh për shtetin ligjor. Zgjidhja e shtetit ligjor po progreson, po ecën. Ne nuk mund të konceptojmë kurrë që të mos numërojmë çdo votë. Jo. Votat e hedhura në kuti tjetër në ligjin shqiptar, por edhe në ligjet e botës, në gjykimet shqiptare, por edhe në gjykimet e botës, është e vlefshme, kur zgjedhësit janë shprehur qartë. Po ky qendrim gjeti sanksionim të plotë në vendimin e kolegjit zgjedhor. 5 me 0”, është shprehur Berisha.

Sipas kryeministrit Berisha, testi me Tiranën, ku Partia Socialiste ndryshe nga disa raste të tjera, kërkoi të gjykohej vlefshmëria e votave për kryebashkiak të hedhura në kutitë e tjera, po vërteton funksionimin e shtetit ligjor. Prandaj kreu i qeverisë kishte një ftesë për opozitën.

“Uroj që opozita të përmbushë detyrimet e veta, të realizojë se jo bllokimi, por votimi, jo destruktiviteti, por konstruktiviteti është alternativa që duan qytetarët shqiptarë dhe të përmbushim sa më shpejt ato detyrime që kanë mbetur pa u përmbushur, për shkak të alternativës që thotë se jam i rëndësishëm duke bllokuar se duke votuar”, theksoi Berisha.

Top Channel