Amnistia, tatimet nisin verifikimet

10/06/2011 08:00

Me hyrjen në fuqi të ligjit për faljen e një pjese të detyrimeve tatimore dhe doganore, si dhe fshirjen nga regjistri i të gjitha gjobave, administrata tatimore është udhëzuar ditët e fundit të formojë komisione të posaçme për zbatimin e amnistisë.

Gazeta “Shqip” mëson detajet e “operacionit” që ka nisur ditën e djeshme, ku në bazë të një udhëzimi të brendshëm, janë shpërndarë detyrat për punonjësit e administratës tatimore, që do të jenë pjesë e komisionit me 5 anëtarë për verifikimin dhe zbatimin e amnistisë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën të ditur se në çdo degë rajonale janë ngritur komisione, të cilat po marrin udhëzimet përkatëse, në mënyrë më specifike.

Problemi qëndron te fakti i fushatës për të sensibilizuar bizneset, të cilat nuk kanë ende një informacion si duhet të veprojnë.

“Puna e parë ka të bëjë me listën e ILDKP-së për zyrtarët e lartë, që nuk janë pjesë e projektit, e cila duhet t’u shpërndahet tatimeve dhe doganave, pasi të jetë kryer përputhshmëria me QKR-në”, shprehen burime zyrtare nga administrata e lartë tatimore.

“Ky institucion do të jetë ‘verifikuesi’ i çdo punonjësi të shtetit, që preket nga ILDKP-ja, dhe më pas nisa faza e dytë, ajo me bizneset. E para ndodhet në mbyllje të procesit, kurse me bizneset sapo ka nisur zbatimi i projektit”, deklarojnë burimet.

Top Channel