Ruçi: Vendimi Kolegjit, qesharak

09/06/2011 22:25

Kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi hodhi dyshime të forta mbi paanësinë dhe ligjshmërinë e vendimit të datës 3 qershor të Kolegjit Zgjedhor që rrëzoi kërkesën e Partisë Socialiste për të hedhur poshtë vendimin e datës 23 maj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Duke folur në Top Story, zoti Ruçi riktheksoi edhe njëherë qendrimin e Partisë Socialiste për të ndjekur të gjitha rrugët institucionale për të kundërshtuar vendimin e KQZ-së.

Por ai e quajti vendimin e datës 3 qershor të Kolegjit qesharak. Sipas tij, përpos kësaj, Kolegji shkeli ligjin edhe në zbardhjen e këtij vendimi. Këtë vonesë, kreu i grupit parlamentar të PS-së e quajti të qëllimshme dhe të dirigjuar politikisht për t’i dhënë kohë, sipas tij, juristëve të PD-së të njiheshin me ankimimin e dytë të socialistëve.

“Zbatuam dhe do të zbatojmë të gjitha rregullat institucionale. Vonesa e vendimit ka qenë e qëllimshme deri në depozitimin e kërkesës së re të PS-së e cila pasi u mor, u konsultua nga juristët e PD-së, bënë atë konsultim dhe dhanë vendim pas 2 ditësh. Ky është realiteti”, tha Ruçi.

Më tej, deputeti Ruçi, hodhi dyshime të forta lidhur edhe me integritetin profesional të relatorit të Kolegjit për ankimimin e parë.

“Një gjyqtar pa integritet profesional, s’përballon dot presionin e politikës a ku di unë. Po të mos kishte presion nga politika, apo po të kishte integritet profesional do të jepte vendimin brenda 3 ditëve. Lufta jonë dhe e kauzës sonë politike është që institucionet në vend të bëjnë drejtësi dhe jo padrejtësi”, deklaroi Ruçi.

Top Channel